Stambolli është nikoqiri i raundit të ri të bisedimeve paqësore mes Rusisë dhe Ukrainës. Nën sigurim të përforcuar, të dyja delegacionet mbërritën në vendin e dakorduar. Negociatat nisën herët në mëngjes, para orës 10, kurse u zhvilluan në Pallatin Dolmabahçe prapa dyerve të mbyllura. Pas tri orëve, negociatat përfunduan, por hollësira tani për tani nuk ka.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan dhe i Rusisë, Vladimir Putin, dje biseduan përmes telefonit, por nuk zbulojnë detaje. Erdogani u porositi delegacioneve se bota pret lajme të mira prej tyre.
“Vendosja e armëpushimit dhe paqes sa më shpejt që është e mundur, do të jetë në dobi të të gjithëve. Konsiderojmë se hyjmë në një periudhë kur duhet të arrijmë rezultate konkrete nga negociatat. Duke pasur parasysh fazën deri në të cilën kemi arritur, si anëtarë të delegacioneve, morëm përsipër përgjegjësi historike. E gjithë bota pret lajme të mira prej jush. Ju dhatë bazë për paqe me udhëheqësinë e liderëve tuaj. Ne jemi të përgatitur të japim çfarëdolloj kontributi për t’jua lehtësuar punën“, tha Rexhep Taip Erdogan, president i Turqisë.
Pala ruse pohon se kanë reagime të ashpra për krimet e luftës, të cilat, siç pretendon, i kryejnë forcat ukrainase mbi ushtarët e kapur rusë.
“E shprehëm protestën tonë kundër video-incizimeve që u paraqitën lidhur me keqtrajtimin e ushtarëve të kapur rusë. Kjo protestë ishte pranuar nga pala ukrainase. Ata premtuan se do t’i ndërmarrin masat më të rrepta nëse i kapin ata që i kanë kryer këto krime lufte”, theksoi Vlladimir Medinski, përfaqësues i delegacionit rus.
Turqia këmbëngulte që të pozicionohet si aleat neutral i Ukrainës dhe Rusisë dhe partner kyç diplomatik në hyrje të rajonit të Detit të Zi. Këtu përshihet të jetë nikoqir i negociatave trepalëshe me ministrat e jashtëm të Ukrainës dhe Rusisë në qytetin jugor Antali, si dhe me ministrin e jashtëm, Mevlut Çavushoglu dhe të bëjë “shatëll-diplomaci” gjatë vizitave të fundit në Llavov dhe Moskë.
Turqia vlerëson se bisedimet janë të suksesshme, edhe përkundër mungesës së progresit sa i takon debatit kryesor për korridoret humanitare, sidomos për qytetin e rrethuar, Mariupoll.
Në negociatat që po zhvillohen në Stamboll, merr pjesë edhe afaristi dhe miliarder rus, Roman Abramoviç, i cili ishte sanksionuar nga Perëndimi për shkak të pushimit të Moskës mbi Ukrainën. Në videot që i publikuan mediat turke, shihet se Abramoviçi nuk është në tryezën kryesore negociuese, por është ulur pranë Ibrahim Kalinit, zëdhënës i Presidentit turk, Erdogan dhe mban kufje për përkthim. “Volstrit Zhurnal” dje bëri me dije se Abramoviçi, i cili ka pranuar kërkesën e Ukrainës që ta ndihmojë procesin e negociatave dhe negociatorët ukrainas, së fundmi kanë shfaqur simptoma të helmimit pas takimit që u mbajt në Kiev. Por, tani janë në gjendje të mirë shëndetësore. Pala ruse këto informacione i quajti “luftë të informacionit”.
