Biden gjatë vizitës në Poloni! Takohet me delegacionin ukrainas, dhe atë polak

TË FUNDIT

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov tha se ai dhe ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba kishin mbajtur një takim të përbashkët me homologët e tyre amerikanë për herë të parë.

“Ne diskutuam çështjet aktuale dhe bashkëpunimin në drejtimet politike dhe të mbrojtjes midis Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara,” tha Reznikov në Twitter, duke postuar një fotografi të takimit në Varshavë me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken dhe sekretarin e mbrojtjes të SHBA-së, Lloyd Austin. Në takim i pranishëm ishte edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, pas takimit me Presidentin Biden dhe Sekretarët Blinken e Austin tha se kanë marrë premtime shtesë nga ShBA-ja për zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.

“Ne morëm premtime shtesë nga Shtetet e Bashkuara se si do të evoluojë bashkëpunimi ynë i mbrojtjes,” u tha Kuleba gazetarëve.

Presidenti polak, Andrzej Duda mirëpriti presidentin amerikan Joe Biden në pallatin presidencial në Varshavë ku të dy do të zhvilluan bisedime rreth pushtimit rus të Ukrainës.
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken dhe sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin iu bashkuan Bidenit në pallatin presidencial.
Delegacioni polak përfshinte ministrin e Jashtëm, Zbigniew Rau dhe ministrin e Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se homologu i tij rus, Vladimir Putin, është befasuar kur ka zbuluar se ai nuk ka mundur të ndajë aleatët e NATO-s në qëndrimin e tyre për pushtimin e tij në Ukrainë.
Biden e tha këtë deklaratë gjatë vizitës në kryeqytetin polak, Varshavë, ku është takuar me ministrat e qeverisë ukrainase, si dhe me presidentin e Polonisë Andrzej Duda.

“Jam i sigurt që Vladimir Putin kishte llogaritur se do të ishte në gjendje të ndajë NATO-n, krahun lindor nga perëndimi, se do të mund të ndante kombet bazuar në të kaluarën e tyre. Por ai nuk ka mundur ta bëjë këtë – ne kemi qëndruar të gjithë së bashku. Unë mendoj se është kaq e rëndësishme që ne, Polonia dhe Shtetet e Bashkuara, të vazhdojmë kështu. Ne kemi mësuar nga përvoja e trishtuar në dy luftëra botërore, kur kemi qëndruar anash dhe nuk kemi qenë të përfshirë në stabilitetin në Evropë, ajo na ndjek gjithmonë në Shtetet e Bashkuara”, tha Biden.

Më herët, Biden mori pjesë në një ceremoni pritjeje në kryeqytet, ku u përshëndet nga një bandë ushtarake që luante himnet kombëtare të SHBA-së dhe Polonisë.
Pas përfundimit të takimeve të tij zyrtare, ai shkoi në stadiumin kombëtar të Polonisë për të takuar refugjatët e larguar nga lufta./21Media