Bartësit e listave që përfliten se do t’i nxjerr BDI, siç janë Sadullah Duraku dhe Musa Xhaferi, do t’i sillnin fitore partisë së integristëve në zgjedhjet e majit, vlerëson Blerim Bexheti, sekretar organizativ i kësaj partie. E nëse realisht korrin fitore Bexheti pret që BDI apo Fronti Europian të merr 21 deputetë.
“Sadullah Duraku është një emër i respektuar, me një kontribut të jashtëzakonshëm edhe në sferën e çështjes shqiptare. Është njëri nga bashkudhëtarët e zotëri Ahmetit edhe në veprime jashtë BDI-së. Porositë që i çon z. Ahmeti me listat dhe me strukturat është për një fitore të radhës”, pohoi Blerim Bexheti – sekretar organizativ BDI.
Bexheti në Click Plus në TV21 tha se nuk beson se ka shqiptar që hyn në qeveri pa ndryshimet kushtetuese, duke u përgjigjur në pyetjen se çfarë nëse VMRO-DPMNE kërkon koalicion me opozitën shqiptare VLEN. Me këtë rast ai shtoi se edhe Gruevski edhe Zaev kanë dashur që partinë e Ahmetit ta nxjerrin në opozitë por nuk ia kanë dalë, sepse e kanë mbështetjen e shqiptarëve.
“Edhe Nikolla Gruevski thoshte më jepni 61, të mos më kushtëzoj BDI dhe Ali Ahmeti, edhe Zoran Zaevi thoshte BDI në opozitë, edhe tjerët mund ta thonë, por shumë me bindje mund ta them dhe çdo qytetar e ka të qartë se e dëshirojnë BDI-në, nuk duhet ta elaborojë se me tjerët e shohin më lehtë, por shqiptarët fatmirësisht e dëshirojnë BDI dhe e votojnë. Nëpërmjet votës së tyre e legjitimojnë”, pohoi Blerim Bexheti – sekretar organizativ BDI.
Ndryshe, duke folur për bartësit e listave të cilat ende nuk janë definitive, Blerim Bexheti nuk mohoi të jetë bartës liste nëse këtë e kërkon partia e tij.
