Besa vë në pikëpyetje qëndrimin në Qeveri! Ahmeti e quan presion, Thaçi thotë se deputetët e Besës janë të LSDM-së

TË FUNDIT

Rivotimi për Komunën e Zhelinës, po e lëkund akoma më shumë Qeverinë. Lëvizja Besa nuk pajtohet me vendimin e KSHZ-së për rivotim duke akuzuar BDI-në se po manipulon me rezultatin zgjedhor. BESA  ka mbledhur organet e partisë për të diskutuar nëse do të vazhdojnë të jenë pjesë e Qeverisë.

 “Lëvizja BESA gjatë ditës së sotme por edhe nesër do vazhdojë konsultimet brenda partisë për të marrë vendim se si duhet të vazhdohet më tutje”, tha Arjanit Hoxha – Sekretar i Lëvizjes Besa.

Edhe nëse Besa vazhdon të mbetet pjesë e Qeverisë, Hoxha në mënyrë të prerë u shpreh se ai nuk do të jetë më ministër i këtij kabineti qeveritar.

 “Unë për vete duke u nisur me integritetin tim personal, unë edhe sikur të vendosë partia që të vazhdojë qeverisja, unë nuk do të jem ministër në këtë Qeveri, dhe kjo është deklarata pas së cilës nuk kam ndërmend të hiqem”, shtoi sekretari gjeneral i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha.

Reagimin e tillë të Hoxhës, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, e quan të përshpejtuar dhe me emocione, ndërsa e konsideron si presion ndaj koalicionit.

 “Nuk mendoj që do të ndodhë diçka e tillë, sepse nuk ndihmon asgjë Besën, nëse tërhiqet. Mund të përdoret si një lloj presioni ndaj koalicionit, por koalicioni nuk dëmtohet nga deklarata dhe presione të tilla. Mbi të gjitha nuk është mirë sepse po ushtrohet presione ndaj institucioneve që duhet të zbatojnë ligjin”, deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Partneri tjetër qeverisës, Menduh Thaçi, deklaroi se Qeveria dhe shumica parlamentare janë stabile për shkak se deputet e Besës, janë deputet e LSDM-së.

 “Mendoj se nuk do të ketë tronditje brenda shumicës parlamentare. Besa është pak e irrituar me vendvotimin në Zhelinë, deputetët e Besës janë të LSDM-së, edhe formalisht edhe joformalisht”, u shpreh Menduh Thaçi – kryetar i PDSH-së

Ministri i LSDM-së, Borjan Mariçiq, nuk mendon se vendimi për rivotim në Zhelinë do të sjell pasoja politike në Qeveri.

 “Mendoj se me negociata dhe takime do t’i qartësojmë të gjitha ato dilema. KSHZ ka sjell vendim dhe mendoj se nuk është vetëm për Zhelinën dhe nuk besoj se nuk do të ketë implikime politike”, potencoi Bojan Mariçiq nga LSDM.

Lëvizja Besa vendimin për rivotim në vendvotimin 27 01 do ta ankimojë në gjykatën Administrative. Në komunën e Zhelinës, Lëvizja Besa, në raundin e dytë me kandidatin Blerim Sejdiu fitoi ndaj kandidatit të BDI-së Fatmir Izairi.