Tani për tani nuk do të shkurtohen rrogat e administratorëve. Ministrja e financave Nina Angellovska dhe Ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi me qëndrime të ndara. Angellovska tha se ka hapësirë për shkurtim për shkak se administratorët tani punojnë më pak. Por kolegu i saj, Bekteshi tha se shkurtimi i rrogave në administratë aspak nuk ka qenë temë e bisedave. I hodhi poshtë si të pasakta informacionet se mes tij dhe ministres së financave ka mospajtime.
“Unë dhe ministrja e Financave mund të kemi mendime të ndryshme edhe për tema të ndryshme, por ne jemi pjesë e Qeverisë së njëjtë dhe vendimet përfundimtare i sjellim në mënyrë kolektive si Qeveri dhe i respektojmë. Ne nuk kemi mendime të kundërshtuara me ministren për këtë temë. Sa i takon përgatitjes së rebalancit dhe pakos së tretë masash ekonomike, kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm me ministren e Financave. Bashkëpunojmë në bazë ditore për të krijuar masa sa më të mire të cilat do të jenë mbështetje për ekonominë dhe qytetarët”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i ekonomisë”.
Para disa ditësh Angellovska në intervistë për Televizion 24, tha se rrogat në administratë duhet të shkurtohen sepse administratorët nuk kanë ku t’i shpenzojnë paratë.
“Në kushte kur është ulur shpenzimi për shkak të mosshfrytëzimit të shërbimeve, nuk e shfrytëzoni makinën. Në kushte kur nuk paguani kredi sepse ato janë prolonguar. Ju nuk keni ku t’i shpenzoni paratë”, tha Nina Angellovska, ministre e financave.
Administrata publike një herë shpëtoi, në fund të majit kur qeveria solli vendim që administratorët të marrin rrogë të plotë. Njëkohësisht Gjykata kushtetuese e anuloi dekretin e qeverisë për shkurtim të rrogave të funksionarëve, gjykatësve dhe prokurorëve për prill dhe maj, në 14.500 denarë në muaj.
