Kandidati i VLEN-it për kryetar të Gostivarit Nevzat Bejta ka akuzuar ish-kryetarin e komunës Arben Taravarin dhe ish-ushtruesin e detyrës Valbon Limanin për keqpërdorime të buxhetit komunal. Sipas Bejtës, ata i kanë fryrë çmimet për dy projekte, atë të ndërtimit të Sallës së këshillit dhe projektit për nevojat e qytetit.
“Salla e këshillit e cila kushton për at bërë efektive mund të kushtojë më së shumti 50 mijë euro, ata e kanë ndërtuar sallën e këshillit e cila ka kushtuar përafërsisht 750 mijë euro. E kemi dokumentin çmimin e kemi e nënshkruar nga Arben Taravari. Për ta përgatit një projekt për nevojat e komunës kushton 5 mijë euro, këta e kanë bërë çmimin 200 mijë euro, ja në këtë formë atë e kanë shkatërruar buxhetin e komunës së Gostivarit”, tha Nevzat Bejta – Kandidat i VLEN-it për Gostivarin.
Me reagim doli Aleanca Kombëtare për Integrim, nën logon e së cilës Valbon Limani kandidon për kryetar të Gostivarit. Ata thonë se Bejta po përpiqet të mashtrojë opinionin me fabrikime dhe shpifje, por theksojnë se qytetarët e njohin shumë mirë të kaluarën e tij politike, si dhe vjedhjet dhe plaçkitjet që lidhen me emrin e tij.
ALEANCA KOMBËTARE PËR INTEGRIM – GOSTIVAR:
Në vend që të shpërndajë akuza të pavërteta, ai duhet të japë përgjigje të qarta para qytetarëve:
– si i ka realizuar aksionet në hidrocentrale,
– prej nga i buron investimi prej mbi 30 milionë eurosh në Mavrovë,
– si është bërë shitja e tokave atraktive shtetërore ne Gostivar gjatë qeverisjes së tij me klanin e tij kriminal.
– dhe sa dosje e ndjekin nga afër për keqpërdorime të dyshuara.
Nga AKI përfundojnë duke shkruar se Komuna e Gostivarit ka qenë vazhdimisht nën mbikëqyrjen e institucioneve dhe asnjëherë nuk është konstatuar keqpërdorim i fondeve publike. Shprehen po ashtu se ky është reagimi i tyre i parë dhe i fundit ndaj kandidatit, siç e quajnë, të komprometuar.
