BE: Samit global për furnizimin e vaksinave më 27 qershor

TË FUNDIT

Komisioni Evropian (KE) ka miratuar strategjinë për të përshpejtuar zhvillimin, prodhimin dhe aplikimin e vaksinës Kovid-19, qëllimi është marrja e vaksinave të sigurta dhe efektive në 12 deri 18 muajt e ardhshëm.

Komisioni për 27 qershor ka paralajmëruar realizimin e samitit global mbi furnizimin e vaksinave.

“Së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, ne do të shqyrtojmë mundësinë që vendet në mbarë botën të bien dakord të mobilizojnë fonde për rezervim të përbashkët të vaksinave të ardhshme, ndërsa rezervojnë vaksina për vendet më të varfra me ndihmën e vendeve me të ardhura të larta”, deklaroi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lajen.

Përfaqësuesit e Komisionit Evropian theksojnë se ata kanë marrë mbështetje nga vendet anëtare për të siguruar qasje të shpejtë në vaksinat për 27 vendet e BE-së dhe popullsinë e tyre, ndërsa në të njëjtën kohë bëjnë përpjekje globale për të siguruar qasje të barabartë ndaj vaksinave sa më shpejt të jetë e mundur.

“Bashkimi Evropian nuk do të jetë i sigurt për sa kohë që e gjithë bota nuk ka qasje në vaksinë dhe si e tillë, BE dhe vendet anëtare të saj kanë përgjegjësi dhe interes që vaksina të jetë në dispozicion universale”, përfundoi von der Lajen.

Komisioni thekson se kishte marrë mandat nga qeveritë e vendeve anëtare për të negociuar në emër të tyre për të blerë vaksina për të gjithë territorin e Bashkimit Evropian dhe se 2,4 miliardë euro ishin caktuar për këto nevoja.

Po ashtu, janë mbledhur rreth 10 miliardë euro në konferencë donatore ndërkombëtare për diagnostikimin, vaksinat dhe trajtimin në luftën kundër Kovid-19./MIA