Bashkimi Evropian u kërcënua se do të tërhiqet nga negociatat për Bregzit, nëse Britania e Madhe nuk pajtohet në kompromis, publikoi gazeta britanike Gardijan.
Negociuesi kryesor i BE-së për Bregzit, Mishell Barnie e ka paralajmëruar homologun britanik Dejvid Frost, se do t’i braktisë negociatat nëse në 48 orët e ardhshme Dauning strit nuk miraton ndryshim të madh në negociata.
Barnie gjatë video-konferencës së djeshme e porositi Forestin se bisedat e ardhshme do të jenë të pakuptimta nëse Britania e Madhe nuk mund të bëjë kompromis për çështjet kyçe.
Tërheqja e Barniet nga negociatat është një hap me të cilin mund të kryhet presion mbi kryeministrin britanik Boris Xhonson t’i japë udhëzime të reja Frostit, ndërsa në të njëjtën kohë mund t’i inkurajojë anëtarët e Partisë konservatore britanike, të cilët vlerësojnë se pa marrëveshje është dalje më e mirë.
Paraprakisht, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, në fjalimin e saj në seancën plenare të PE-së, theksoi se nuk është e sigurt nëse do të arrihet marrëveshje, me ç’rast duke shtuar se në ditët e fundit është arritur përparim për shumë çështje të rëndësishme.
“Megjithatë, ka edhe tre çështje për të cilat duhet të vendoset nëse do të ketë marrëveshje ose jo. Çështjet e rëndësishme për anën evropiane janë – rregulla të njëjta për konkurencën për të gjithë, peshkimi dhe çështjet si do të zgjidhen kontestet rreth interpretimit të marrëveshjes së mundshme. Na mbeti edhe pak kohë dhe do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë të arrijmë marrëveshje. Ne jemi të gatshëm të jemi kreativ”, potencoi fon der Lajen.
