BDI VMRO-DPMNE-së: Qeveria s’është lodër e askujt! Mexhiti: Ne nuk merremi me ta, duhet të reformohen

TË FUNDIT

“Ne jemi në mbrojtje të legjitimitetit dhe fare nuk tërhiqemi dhe qerpiku s’na dridhet sepse jemi në të drejtën tonë, në hakun tonë…”, tha Ali Ahmeti – kryetar i BDI-së.

Sjellje si fëmijë i llastuar që qan pas lodrave të huaja e quajti VMRO-DPMNE këtë reagim të Ali Ahmetit dhe partnerëve të Fronti Europian, pasi këta të fundit paralajmëruan se po nisin rrugëtimin për të mos lejuar, siç e quajnë, majorizimin që rëndon bashkëjetesën dhe demokracinë. Duke mos konkretizuar çfarë hapash do të ndërmarin, Ahmeti tha se për të njëjtat opinioni do të njoftohet me kohë. Nga VMRO-DPMNE thonë se nuk ka të bëjë fare me majorizim e as shovinizëm, sepse sipas tyre, shkuarja e BDI-së në opozitë nuk ka të bëjë me sjelljen e DPMNE-së ndaj shqiptarëve. Ahmeti duhet të ndalojë të sillet si fëmijë i llastuar që qanë pas lodrës që nuk është e tij, thanë nga DPMNE.

Nga BDI këto deklarata i quajnë skandaloze dhe i bëjnë me dije DPMNE-së se Qeveria nuk është lodër e askujt.

 “Sa i përket shprehjes skandaloze “Ahmeti të ndalojë të sillet si fëmijë i lazdruar që qanë pas lodrës që nuk është e tij”, VMRO-DPMNE duhet ta ketë të qartë se Qeveria nuk është lodër në duart e tyre dhe askujt tjetër dhe shkelja e vullnetit të sovranit është antidemokratik dhe kundër Marrëveshjes së Ohrit. Legjitimiteti dhe kredibiliteti i plotë zgjedhor dhe demokratik i takon Frontit Europian dhe vazaliteti i pakusht i humbësve është i destinuar të dështojë sepse nuk e ka mbështetjen e popullit”, thonë nga BDI.

Përpos reagimit të djeshëm të Frontit Europian, edhe Blerim Bexheti paralajmëroi verë të nxehtë politike. Për këtë, Izet Mexhiti nga koalicioni VLEN tha se me të vërtetë do jetë verë e nxehtë për Frontin Europian sepse e kanë rëndë të ballafaqohen me realitetin, qëndrimin në opozitë. Për TV21, Mexhiti tha që nuk do të merren me Frontin Europian, por të njejtit shprehet se duhet të reformohen.


“Ne kemi dalë me platformë me program. Ne jemi fitues në kampin politik shqiptar. Ne jemi përfaqësues të shqiptarëve në Qeverinë e ardhshme. Ne nuk kemi ndërmend të merremi me ta. Ata duhet t’i kthehen vetvetes, duhet të reformohen, duhet ta prekin realitetin. E di që e kanë rëndë të ballafaqohen me këtë realitet, e di që do e kenë nxehtë verës. Por përkushtimi jonë është që programin, zotimin që e kemi dhënë para qytetarëve, t’i përveshim krahët dhe të demonstrojmë që nuk do të jetë vetëm ndrimi i personave por do të jetë një ndryshim i vërtetë në politikbërjen dhe qeverisjen tek shqiptarët”, potencoi Izet Mexhiti – kryetar i Lëvizjes Demokratike.

Përndryshe ditëve në vijim pritet që të përfundojnë negociatat për bashkëqeverisje mes VLEN, VMRO-DPMNE dhe Lëvizjes Znam, dhe siç njoftoi Mexhiti, VLEN-it do t’i takojnë 6 ministri, 7 zëvendësministra, postin e zëvendëskryeministrit të parë, 5 sekretarë shtetëror dhe kryetari i Kuvendit, që tanimë u realizua me Afrim Gashin.