BDI i reagon Janevskës: E kundërshtuan ligjin sepse e mbrojmë shtetin nga individë si ju, që krijojnë tensione

TË FUNDIT

Partia opozitare BDI ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska e cila e akuzoi këtë parti se po bllokon 5 ligje të tjera vetëm pse nuk i pëlqen një ligj, transmeton TV21.

Nga BDI kanë deklaruar se kanë bllokuar Ligjin vetëm që të mbrojnë shtetin, për siç thonë, “nga individë të cilët krijojnë tensione” dhe për të ruajtur karakterin multietnik të Maqedonisë së Veriut”.

“Ministre, ju mund ta interpretoni tërheqjen e ligjit për arsimin e mesëm si një kundërshtim të BDI-së për arsye se nuk e duam shtetin, por kjo është shumë larg të vërtetës, në fakt ishte pikërisht përshkak se e duam atë.

Ne e kundërshtuam këtë ligj për të mbrojtur shtetin dhe karakterin multietnik të vendit tonë nga individë si ju, të cilët nuk besojnë në bashkëjetesë dhe respekt të ndërsjellë.

Entuziazmi juaj i verbër mund të duket si një “stuhi e fuqishme,” por ai është i pamend dhe jetëshkurtër, ndërsa dëmi që mund të shkaktoni do të jetë afatgjatë.

Qasja juaj, që përjashton dhe krijon tensione, është një kërcënim për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.

BDI e kundërshtoi këtë ligj sepse kujdesemi.

Kujdesemi për shqiptarët, për maqedonasit dhe për çdo qytetar të këtij vendi, që të mos bëhen viktimë e qasjeve dhe vendimeve të papërgjegjshme si kjo.

Shteti ynë ka nevojë për vizion dhe lidership që bashkon, jo që përçan”, thanë nga BDI.