Bashkimi Evropian deri nga mesi i korrikut do të marrë 470 milionë doza të vaksinave kundër koronavirusit, me të cilat do ta arrijnë qëllimin e vaksinimit, pret komisari i Tregut të Brendshëm të BE-së, Tieri Breton.
“Nga mesi i korrikut do të kemi doza të mjaftueshme që të mund të imunizojmë plotësisht 70 për qind të qytetarëve të BE-së”, tha Breton për gazetën vjeneze”Prese”, duke shtuar se kjo do të përshpejtonte ritmin e planifikuar të vaksinimit.
Ndryshe, qëllimi i kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, ka qenë gjithmonë vaksinimi i 70 për qind të qytetarëve në të gjitha vendet anëtare të Unionit deri në fund të verës.
Breton, ish-ministër francez i Ekonomisë dhe Financave, tha se 53 kompani farmaceutike janë të përfshira në prodhimin e vaksinave kundër Kovid-19.
Ai vlerësoi se dërgesat e dakorduara prej 360 milionë dozave në periudhën nga prilli deri në qershor janë “solide”.
“Nuk kam asnjë arsye të supozoj se ato nuk do të dorëzohen. Besoj më shumë se më parë sa i përket kapaciteteve tona prodhuese”, theksoi eurokomisari.
Breton gjithashtu shprehu dyshimet se vaksina ruse Sputnik V mundet që këtë vit të prodhohet sipas standardeve evropiane.
“Pas miratimit nga ana e Agjencisë evropiane të barnave, do të duhen ndoshta 10 muaj para se të fillojë prodhimi”, shpjegoi Breton.
Ai theksoi se çdo vaksinë e re është e mirëpritur, por duhet të jetë në dispozicion në tre-katër muajt e ardhshëm.
“Me shumë respekt për shkencëtarët rusë dhe kinezë, duhet të theksoj se duhen disa muaj, në mos edhe vite, që të përgatitet i gjithë procesi i prodhimit”, tha komisari i Tregut të Brendshëm të BE-së, Tieri Breton.
