Bashkëpunimi ASH-AAA & VMRO vetëm për lokalet, Sela: Është një shprehje që thotë, fal por mos harro kurrë

TË FUNDIT

 

“Ky koalicion ka për qëllim… Koalicion i imponuar… Më këtë koalicion…”

Derisa flet për bashkëpunimin ASH-AAA & VMRO-DPMNE e quan koalicion, por kur u pyet konkretisht, Lideri i ASH-së Ziadin Sela tha se koalicion  ka vetëm me Alternativën. Ai shton se me VMRO-DPMNE-në kanë marrëveshje për përkrahje të ndërsjellë vetëm për zgjedhjet lokale.

 “Unë koalicion kam me Alternativën,  ASh – AAA, prandaj kemi kandidatë të përbashkët dhe lista të përbashkëta. Me VMRO-në? Këtu kemi marrëveshje për përkrahje të ndërsjellë në komuna të caktuara. Në rrethin e parë dhe të dytin? Në rrethin e parë. Përjashtohet nga kjo marrëveshje komuna e Kërçovës, Bërbernicës, në të cilën edhe ne kemi nxjerrë kandidatë dhe ajo e Kumanovës”, deklaroi në Click Plus kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Njësoi edhe Mickoski duke folur për bashkëpunimin opozitar, përdori shprehjen “VMRO-DPMNE me koalicionin ASh-AAA” dhe shprehjen “do të përkrahim njëra-tjetrën”.

 “Po që në rrethin e parë VMRO-DPMNE do ta përkrahë kandidatin e koalicionit ASH-AAA këtu në Tetovë, ndërsa listën e këshilltarëve që ka VMRO-DPMNE këtu në Tetovë presim që të arrijë numër rekord të këshilltarëve. Qëllimi ynë me koalicionin ASH-AAA është që, që në rrethin e parë të përkrahemi që t’i rrëzojmë politikat kriminale të udhëhequra nga LSDM dhe BDI”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Në emisionin e mbrëmshëm Click Plus ku ishte i ftuar lideri i partisë Aleanca për Shqiptarët ZIadin Sela, u fol edhe për rastin “27 prilli” ku Sela tha se ky bashkëpunim nuk nënkupton se e ka harruar rastin, ndonëse e ka falur.

 “Është një shprehje që thotë, fal por mos harro kurrë. Qytetarët dhe ata që përditë kapin valixhe dhe ikin për Gjermani prej meje presin ndryshim. Dhe asgjë nuk është kompromisi që unë është dashur ta bëj me veten time, është shumë e vërtetë që unë është dashur të bëj kompromis me veten time, në krahasim me dhimbjen që shkakton ai i riu dhe e reja që i kthen shpinën shtëpisë dhe ikë”, shtoi Ziadin Sela, kryetar i ASH-së.

Në pyetjen se përse nuk u bashkua me Zaevin, por me Mickovskin, Sela tha se ka mbetur shumë i zhgënjyer me Zaevin për burgosjen e Feta Alimit, personi i cili ia shpëtoi jetën në natën e përgjakshme të “27 prillit”.