Italiania UniCredit dhe austriakja Raiffeisen Bank International kanë njoftuar se, së bashku me shtatë banka të tjera evropiane, do të themelojnë një kompani të re që do të emetojë një kriptovalutë “të denominuar në euro” dhe të mbuluar me asete tradicionale financiare.
Përveç UniCredit dhe Raiffeisen, grupi përfshin belgën KBC, bankën daneze Danske Bank, gjermanen DekaBank, suedezen SEB dhe spanjollen CaixaBank. Në deklaratë theksohet se është e mundur që konsorciumit t’i bashkohen edhe banka të tjera.
Selia e kompanisë së re do të jetë në Holandë dhe do të funksionojë me licencë dhe nën mbikëqyrjen e Bankës Qendrore të Holandës, si institucion i parasë elektronike.
Emetimi i kriptovalutës së mbuluar me asete tradicionale dhe “të denominuar në euro” është planifikuar për gjysmën e dytë të vitit 2026. Projekti do të jetë në përputhje me rregulloren e BE-së për tregjet e kripto-aseteve (MiCA), duke mundësuar pagesa të shpejta dhe me kosto të ulët, 24 orë në ditë, bëri të ditur një zëdhënës i DekaBank në Gjermani, raporton Reuters.
Kriptovalutat e mbuluara lidhin paranë digjitale me monedha standarde si dollari ose euro, por edhe me mallra si ari dhe argjendi apo instrumente financiare, për të shmangur luhatjet e mëdha të vlerës.
Deklarata e grupit thekson se kjo kriptovalutë do të ofrojë potencial për transaksione ndërkufitare më efikase, pagesa të automatizuara, si dhe përmirësime në menaxhimin e zinxhirit të furnizimit dhe në përpunimin e aseteve digjitale. Teknologjia blockchain do të garantojë një regjistër elektronik publikisht të disponueshëm për të gjitha transaksionet e pagesave.
Aktualisht, pozitat udhëheqëse në tregun ndërkombëtar të kriptovalutave të mbuluara me asete mbahen nga kompanitë amerikane Tether, Circle dhe Ripple.
Një shtysë shtesë për tregun e SHBA-së erdhi në korrik, kur presidenti Donald Trump promovoi “Ligjin GENIUS”, i cili kërkon që çdo kriptovalutë e re të mbulohet 100% me asete likuide si dollari ose obligacionet afatshkurtra shtetërore, si dhe të ketë raporte mujore mbi përbërjen e rezervave.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, ky ligj “do të gjenerojë kërkesë shtesë për borxhin amerikan dhe do të forcojë statusin e dollarit si valuta rezervë globale”. Ndërkohë, eurozona ka vendosur të emetojë një valutë digjitale përmes Bankës Qendrore Evropiane.
Konsorciumi prej nëntë bankash evropiane thekson se synon të krijojë një alternativë evropiane ndaj tregjeve të kriptovalutave, të cilat aktualisht dominohen nga SHBA, me qëllim forcimin e autonomisë strategjike të Evropës në fushën e pagesave.
