BALLKANI, VRIMË QË RRETHOHET NGA ANËTARE TË BE-së. MOGERINI KËRKON QË MAQEDONISË T’I NJIHEN MERITAT

TË FUNDIT

Duke folur para Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federika Mogerini,  tha se e ka të vështirë ta përdorë fjalën ‘zgjerim’ për vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas saj fjala e duhur do të ishte ‘ribashkim’, sepse duke qenë i rrethuar nga shtete anëtare të Unionit, Ballkani duket si një vrimë në kontinent. Andaj përfaqësuesja e lartë kërkoi që pa vonesë, në qershor, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të marrin datë për nisje të negociatave për aderim.

“Mund të ju them shumë qartë dhe hapur, angazhimi im personal është që kjo të ndodhë në qershor, pa vonesa, në bazë të “punës së kryer”. Gjithnjë kemi thënë në bazë të meritave dhe meritat duhet të merren ne konsideratë; dhe unë besoj se strategjikisht do të ishte një gabim i madh, dëshmi e madhe e të qenit shkurt pamës, që të shtyhet ose të mos merret vendim në bazë të meritave dhe vlerësimit të bazuar” tha përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federika Mogerini.

Se qershori është i rëndësishëm, qoftë edhe për simbolikën e narrativit të krijuar, e tha për TV21 edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani.

“Fillimisht në qershor duhet t’i jepet mandat Komisionit për të përgatitur kornizën negociuese, pastaj të konfirmohet korniza në tetor dhe menjëherë në dhjetor të mbahet korniza e përbashkët. Për ne me rëndësi është që këtë vit t’i fillojmë bisedimet. Çështja a do ta marrim në fillim të qershorit apo në mes të qershorit do të varet nga Bundestagu, ne nuk do të heqim dorë deri në ditën e fundit, sekondën e fundit, t’i bindim se qershori është i rëndësishëm të merret vendimi për shkak se prej në qershor deri në shtator mund të ketë shumë momente të paparashikuara që mund ta komplikojnë situatën” deklaroi Osmani.

Ditët e pakta që i ka Bundestagu gjerman për ta shqyrtuar progres raportin e Komisionit, Osmani tha se do të përpiqen ta sqarojnë se është çështje teknike. Këtë Osmani paralajmëroi që bashkë me Kryeministrin Zaev ta bisedojnë me Kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel për t’i thënë asaj se sa me rëndësi është që Maqedonia e Veriut të marrë datë në qershor, pavarësisht asaj se pengesa mund të shpjegohet si çështje teknike. Sido që të jetë, sipas Osmanit, të gjitha këto nuk e lëvizin fillimin e negociatave që pritet të mbahet në dhjetor, në konferencën e  përbashkët të delegacionit të vendit tonë dhe përfaqësuesve të unionit.

Përgatiti: Besir Arifi