Pasi falën namazin e Bajramit në Xhaminë e Larme në Tetovë, besimtarët u kthyen nëpër shtëpi për të uruar për festën, fillimisht në familjen e ngushtë, e më pas nëpër farefis e të afërm.
Dashuria në familje e miq ishte thirrja e të gjithëve për këtë festë të Kurbanit.
-Mesazhi i festës në përgjithësi do të ishte që të jemi në harmoni, gëzim familjar, të vizitojmë farefisin dhe normalisht të kemi kujdes përderisa shkojmë nëpër rrugë, me parkimin, dhe gjithashtu mit kurbanin e me të gjitha të tjerat.
-Të jenë të lumtur, të kalojnë sa më mirë.
-Sa më shumë vijnë, aq më mirë është. Të jenë të gëzuar me njëri-tjetrin, me familjarët. Bajrami sjell bujarinë, bujarinë e njerëzimit. I kënaq njerëzit mes vete dhe i bashkon sa më shumë, i forcon.
-Duhet, duhet këtë të bëjmë, këto kushtet që duhen, apo? Po, duhet që t’i vizitojmë familjet, ato akrabatë.
Mes besimtarëve, takuan edhe një turist nga Turqia.
-Respekt dhe dashuri për atdheun nga toka e të parëve tanë, Maqedonia. Ne ju duam të gjithëve. Gjeografia e Ballkanit është shumë e bukur, ka pasur gjithmonë një vend të veçantë në zemrat tona. Baballarët tanë, të parët tanë kanë jetuar këtu. Edhe ne më pas kemi migruar në Stamboll, në Turqi.
Imami i Xhamisë së Larme, Emir Kasami, duku uruar besimtarët, kujtoi porosinë e Zotit në Kuran, kur thotë se ‘Tek Ai nuk arrin as gjaku i kurbanit, as mishi i kurbanit, por arrin dorëzimi dhe flijimi juaj që e bëni për hir të Allahut’. Dha edhe një mesazh – qytetarët të kenë kujdes ku i hedhin mbetjet e kurbaneve.
“Unë të gjithë besimtarët i porosis që të kenë kujdes, sidomos me të mbeturat e kurbanit, që mos t’i hedhin në rrugë. Të kenë kujdes me pastërtinë, pasi që pastërtia në Islam është gjysma e besimit, gjysma e imanit. Dhe nga ky aspekt të kenë kujdes dhe… normalisht, që të ngasin edhe me kujdes, pasi që të gjithë dalim për ta gëzuar festën, dhe mos të ndodhë ndonjë aksident, ose të lëndohemi@, tha Emir Kasami.
Bajrami i Kurban, i njohur si Festa e Sakrificës, është një nga dy festat më të rëndësishme të kalendarit islam, e cila shënon edhe përmbylljen e ritit vjetor të Haxhit në Mekë. Përtej dimensionit fetar dhe faljes së namazit, kjo festë mbart një peshë të madhe sociale, ku theksi kryesor vihet te solidariteti njerëzor, ndihma ndaj shtresave në nevojë përmes shpërndarjes së kurbanit, si dhe vizitat familjare që synojnë afrimin e komunitetit.
