AUV-ja po kryen analiza të jashtëzakonshme, analizat e fundit treguan se uji në Gostivar ka qenë i sigurt për pije

TË FUNDIT

Pas paraqitjes së një numri të shtuar të qytetarëve që gjatë dhjetë ditëve të fundit janë ankuar për probleme me stomakun, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka kërkuar të kryhen kontrolle të jashtëzakonshme të ujit të pijshëm që shpërndahet përmes ujësjellësit të qytetit në Gostivar. Nga Departamenti për Higjienë dhe Ekologji Shëndetësore pranë Qendrës së Shëndetit Publik-Gostivar, kanë konfirmuar se dje është kryer një kontroll i jashtëzakonshëm dhe janë marrë mostra nga katër pika matëse.

Në lidhje me: Dyshime për ndotje të ujit në Gostivar, MPB: Ujësjellësi dhe komuna dyshohet se injektuan në rrjet ujë nga ujërat e zeza

“Sa i përket ujit dhe situatës aktuale, përveç analizave të rregullta kemi bërë edhe analiza të jashtëzakonshme. Rezultatet e fundit të analizave që i kemi kryer të hënën ishin të mira, përkatësisht parametrat fiziko-kimikë dhe mikrobiologjikë ishin në rregull. Dje kemi marrë edhe disa mostra të tjera për analiza të jashtëzakonshme, por për rezultatet duhet të presim deri nesër ose eventualisht deri të hënën. Për momentin nuk mund të themi asgjë konkrete për to”, deklaroi për MIA-n, dr. Berun Mustafa, specialist i higjienës në Qendrën e Shëndetit Publik në Gostivar.

Nga Spitali i Përgjithshëm “Ferid Murad” kanë konfirmuar se në repartin infektiv dhe atë pediatrik ka një numër të shtuar kontrollesh dhe qytetarësh që ankohen për diarre, dhimbje barku, të vjella dhe temperaturë të lartë. Sipas gjetjeve fillestare dhe pamjes klinike, me shumë gjasa bëhet fjalë për viroza sezonale dhe nuk ka lidhje epidemiologjike mes rasteve. Mjekët rekomandojnë që qytetarët të kenë kujdes më të madh për higjienën dhe zakonet e përditshme, veçanërisht gjatë periudhës së verës kur temperaturat janë të larta dhe rreziku nga infeksionet e zorrëve rritet ndjeshëm.

“Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm për shkak të numrit të shtuar të sëmundjeve të zorrëve, si nga uji ashtu edhe nga ushqimi. Para së gjithash, nuk duhet të konsumojnë ushqime që mund të shkaktojnë këto sëmundje, si ushqimet që nuk janë përgatitur mirë termikisht. Ushqimet dhe produktet duhet të jenë të freskëta. Gjithashtu, frutat dhe perimet duhet të lahen mirë para përdorimit. Dhe natyrisht, uji duhet të përdoret nga burime për të cilat qytetarët konsiderojnë se janë të sigurta”, rekomandoi dr. Mustafa.

Tri analizat e fundit të ujit nga ujësjellësi i Gostivarit, të kryera gjatë muajit të fundit nga Departamenti për Higjienë dhe Ekologji Shëndetësore pranë Qendrës së Shëndetit Publik, kanë treguar se uji ka qenë i shëndetshëm dhe i sigurt për përdorim.