Autostrada Katllanovë-Petrovec, 3 vjet vonesë! Tani do ta ndërtojnë turqit, por duhet edhe 1 vit pritje

TË FUNDIT

Një kompani turke do të vazhdojë punimet e lëna për gjysmë në autostradën Katallanovë-Petrovec. Pothuajse 3 vjet vonesë dhe ngecje për vetëm 7 km rrugë,  tani do të duhet edhe 1 vit shtesë për përfundimin e tërësishëm të kësaj rruge. Drejtori i Ndërmarrjes  “Rrugët Shtetërore” Ejup Rustemi për TV21 tha se sapo të nënshkruhet marrëveshja me kompaninë turke, aktivitetet në terren do të fillojnë menjëherë.

 “Ne presim që shumë shpejtë të kemi nënshkrimin e marrëveshjes dhe sigurimin e garancionit bankar brenda këtyre 10 ditëve dhe pasi që të nënshkruajmë marrëveshjen menjëherë i fusim në punë dhe ajo kompani për 365 ditë duhet të mbarojë komplet rrugën nga Katllanova deri në Petrovec”, pohoi Ejup Rustemi, drejtor i N.P. “Rrugët Shtetërore”.

Në shtatorin e vitit 2021, ndërmarrja “Rrugët Shtetërore” ka prishur marrëveshjen me kompaninë “Beton” për shkak të rezultateve të dobëta në realizimin e punimeve në terren, ndërsa në prill thotë Rustemi është shpallur tender i ri. Për vonesat e punëve në terren, u arsyetua me zgjatjen e procedurave tenderuese.

 “Pikërisht për shkak të procedurave të cilët ne duhet t’i respektojmë pasi që ky rehabilitim i kësaj autostrade prej Katllanovë deri në Petrovec bëhet me investim nga Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rikonstruim. Duhet të respektojmë komplet rregullativa e tyre dhe po veprojmë në bazë të atyre rregullativave të Bankës Evropiane”, tha Ejup Rustemi, drejtor i N.P. “Rrugët Shtetërore”.

Sipas mbikëqyrjes së Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, kompania Beton për 1 vit kishte realizuar vetëm 12 % të punimeve. Përndryshe kjo autostradë sipas projektit fillestar është dashur të punimet t’i përfundojë në korrik të 2021. Ndonëse ka 3 vite që kjo pjesë e autostradës po rikonstruktohet megjithatë qytetarët janë të detyruar të paguajnë në pikën pagesore.