Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e hodhi poshtë kërkesën e Ministrit të Arsimit të Serbisë, Mladen Sharçeviq për të hyrë në vend, si përgjigje e “vazhdimit të fushatës” kundër Kosovës nga autoritetet e Beogradit, publikoi portali “Gazeta ekspres”.
Siç njoftoi korrespodenti i MIA-s nga Prishtina, Sharçeviq, bazuar në protokollet për vizitat e ndërsjella të zyrtarëve të Kosovës në Serbi dhe anasjelltas, kërkoi të vizitojë një institucion arsimor në Mitrovicën e Veriut, komunë në pjesën veriore të Kosovës, e banuar nga një shumicë serbe.
Kërkesa e ministrit serb, sipas burimeve të mediave të Prishtinës nga MPJ-ja e Kosovës, u refuzua për shkak të disa veprimeve të Beogradit të drejtuara kundër shtetit të Kosovës.
“Ka disa arsye pse kërkesa u refuzua: Qeveria e Serbisë e vazhdon fushatën kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës; Qeveria e Serbisë është duke azhurnuar vazhdimisht urdhër-arrestet ndërkombëtare në Interpol për pretendime të krimeve të luftës të qytetarëve të Kosovës dhe ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjithashtu, Qeveria e Serbisë, përkundër promovimit të vazhdueshëm të të drejtave të komunitetit serb në Kosovë, vazhdon të hyjë në projektet e Republikës së Kosovës për integrim më të mirë të asaj pakice”, thuhet në shpjegimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.
Kjo është hera e dytë që autoritetet e Kosovës nuk e lejojnë Sharçeviqin të hyjë në vend, pasi atij iu refuzua kërkesa në qershor 2019, së bashku me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, për t’i vizituar fakultetet brenda universitetit shtetëror në Prishtinë të vendosur në Mitrovicën e Veriut./MIA