ASH me dy ministri, një zv/kryeministër dhe disa drejtori? Sali: Për largimin tim vendos Afrim Gashi

TË FUNDIT

Marrëveshja e ASh-së me koalicionin qeverisës është drejt finalizimit sa i përket resorëve. Sipas burimeve brenda partive TV21 mëson se Aleanca për shqiptarët do të udhëheq me disa dikastere dhe drejtori siç janë:

“Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Drejtësisë, pozitën e një zv/kryeministri. Zv/ministrinë e Punës dhe Politikës sociale, zv/ministrinë e Mbrojtjes. Drejtorinë e Doganave, Drejtorinë për të Ardhura Publike dhe Policinë Financiare.”

Më diskutabile dhe e përfolur ishte pozita e Shëndetësisë, që me shumë gjasa më do të kalojë në duar të Aleancës, për të cilën Taravari thotë se ka kuadro të mira.

Ministri aktual i Shëndetësisë, Bekim Sali, duket se është pajtuar me fatin që të dorëhiqet dhe thotë se pajtohet me çdo vendim që e merr Afrim Gashi, lideri i Alternativës. Në pyetjen se a është kjo dalja e tij e fundit para gazetarëve, Sali me përgjigje.

“Nëse partitë politike merren vesh që unë të mbetem, do të mbetem. Por, nga ana tjetër, lideri i partisë time, zotëri Afrim Gashi e ka lejen dhe përkrahjen time maksimale, në çdo moment se e vlerëson se duhet të jepet kjo pozitë, unë nuk jam ministër.”, tha Bekim Sali – ministër i Shëndetësisë.

Alternativa nuk përjashton ende mundësinë për të dalë nga qeveria. Për TV21 thonë se janë në pritje të finalizimit të bisedimeve ndërmjet LSDM-së dhe ASH-së që të shohim nëse ajo do të ndikojë në marrëveshjen e tyre për bashkëqeverisje me LSDM-në.

Kjo do të kuptohet shumë shpejt pasi që ditëve në vijim do të takohen kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe lideri i ASh-së, Arben Taravari.

“Grupet e punës me intensitet të lartë punojnë për mbylljen e të gjitha çështjeve që janë në tavolinë. Ka pajtime, ka përafrime, ka edhe mospajtime për disa çështje, por vazhdojnë negociatat deri në mbylljen e të gjitha temave”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Ndryshe një javë më parë në objektin ekzekutiv u takuan Taravari dhe Kovaçevski, me çka përfundimisht ASh bëri të ditur zyrtarisht se do të hyjë në qeveri, duke shtuar se nuk është biseduar fare për çështjet kadrovike, por thanë se pika kryesore e programit të ASh-së për hyrje në qeveri është lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i së drejtës