ASH: BDI e partizoi edhe festivalin me të vjetër të Strugës

TË FUNDIT

Partia opozitare Aleanca për Shqiptarët ka reaguar në lidhje me festivalin “Këngë Jeho” në Strugë.

Kjo, pasi siç thonë nga atje, për shkak të partizimit.

Më poshtë reagimi i plotë i ASh-së:

“Një akt i turpshëm ndodhi mbrëmë në Strugë. Në vend të festës për 30 vjetorin e krenarisë sonë kulturore, festivalit “Këngë Jeho”, kjo mbrëmje u shndërrua në mbledhje të shëmtuar partiake. Ata që e degraduan këtë festival, mbrëmë erdhën të marrin mirënjohjet për aktet e turpshme të vazhdueshme të tyre. Asnjë artist dhe asnjë nga ikonat e këtij festivali tradicional nuk dukej në radhët e para sepse të gjitha karriget ishin të rezervuara për partinë, e cila ka diskriminuar për 20 vite radhazi kulturën shqiptare.

Mbrëmë paturpësisht, BDI-ja e kidnapoi vlerën e vetme kulturore të mbetur gjallë me shumë sakrifica nga shqiptarët e Strugës. 30 vite punë, 30 vite djersë, 30 vite lot, 30 vite vlerë,  u zhbënë e u hodhën në erë për 30 minuta nga ata që nuk kanë dhënë as 30 gramë mund për këtë festival.

Pyesim publikisht organizatorët e këtij festivali:

  1. Çfarë kontributi ka dhënë për këtë festival ndër vite, Ali Ahmeti?
  2. Cili është kontributi aq i madh i Jeton Shaqirit?
  3. A nuk ishte ky Ramiz Merko që në mandatin e kaluar e kishte zhytur në borxhe këtë festival? Këtë nuk mund ta mohoni sepse ishim ne ata që paguam të gjitha borxhet e Ramizit me shokë, duke ia rikthyer dinjitetin dhe lavdinë këtij festivali, i cili falë Ramiz Merkos dhe atyre që mbrëmë iu ndatë mirënjohje, mbahej në skena të improvizuara, të arnuara dhe pa pikë niveli.

Drejtoria e festivalit “Këngë Jeho”, fillimisht duhet t’u kërkojë falje të gjithë struganëve, të gjithë atyre që me vite e mbajtën gjallë frymën e këtij festivali, pastaj të japin llogari për punën që e kanë bërë e në fund të japin dorëheqje. Ky turp dhe ky krim, nuk duhet dhe nuk do të lihet pa dhënë llogari.

Fundi juaj politik po afrohet. Dënimin do ta merrni nga qytetarët e Strugës. Këtë mos e harroni!”.