Dy shtetas të Kamerunit mbrëmë përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit kanë tentuar të hyjnë në vend me mbi 900 mijë euro të falsifikuara. Pas kontrollit që u është bërë të dy kamerunasve të cilët kanë mbërritur me fluturim nga Milanoja, të dy janë privuar nga liria.
“Më 08.10.2021 zyrtarët policorë nga Departamenti për Ndjekje të Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Departamentin për Çështje Kufitare dhe Migrim, në vendkalimin kufitar “Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit”, gjatë hyrjes në vend, i kanë privuar nga liria T.R.F. (36) dhe M.B.S. (40), të dy nga Kameruni, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale “Prodhim, marrje dhe tjetërsim i mjeteve për falsifikim””, njoftuan nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Nga Ministria e Brendshme dolën me hollësi rreth asaj se çka është gjetur te shtetasit e Kamerunit, të cilët kanë tentuar “të importojnë” para të falsifikuara në Maqedoni.
“Gjatë kontrollit të bagazhit të M.B.S. janë gjetur 2.072 copa letre të prera me sfond të zi, në të cilat nga të dyja anët është shtypur një pjesë e dizajnit të kartëmonedhës – 50 euro. Në 1.321 copa të këtilla ishte shtypur një pjesë e dizajnit të kartëmonedhës – 100 euro, 247 ishin shtypur me një pjesë të dizajnit të kartëmonedhës – 200 euro, 104 me dizajn të kartëmonedhës – 500 euro. Është gjetur edhe një letërnjoftim francez në emrin e K.B.S dhe një pasaportë kamerunase në emrin e S.I.F., dokumente për të cilat nuk ka të dhëna se janë të vërteta”.
Kundër personave në fjalë është ngritur padi penale për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Prodhim, marrje dhe tjetërsim i mjeteve për falsifikim”
