Anulohet seanca, arsyet nuk dihen! Këshilli Gjyqësor ende pa kryetar

TË FUNDIT

Pa ndonjë arsyetim edhe njëherë u anulua seanca urgjente e Këshillit Gjyqësor për të zgjedhur kryetar ose kryetare të re të këtij organi. Për dallim nga hera e parë kur seanca u anulua me votim dhe me arsyetim se të gjithë anëtarët e Këshillit duan të jenë prezent kur të zgjidhet pasardhësi i Vesna Damevës, kësaj radhe u bë vetëm nëpërmjet një kumtesë shumë të zbrazët.

“Seanca urgjente e 439-të e cila ishte anuluar për ditën 2 maj 2023 (e martë) në ora 11, anulohet. Për ditën dhe orën e mbajtjes së seancës do të bëhet e ditur nëpërmjet kumtesës”, thonë nga Këshilli Gjyqësor

Kur do të mbahet seanca e ardhshme nuk dihet. Kërkuam edhe përgjigje nga zëvendëskryetari Selim Ademi se cilat janë arsyet e anulimit ende pa filluar seanca, por nuk na u përgjigj.

“Këshilli edhe për një periudhë të pacaktuar do të vazhdojë të mbetet pa kryetar, ndërsa sipas informacioneve jo zyrtare anulimi i seancës së sotme ishte për shkak të mungesës së 8 votave për të zgjedhur kryetare ose kryetar të ri të këtij këshilli”, pohoi raporton Valmira Zendeli, gazetare e TV21.

Sipas ligjit për Këshillin Gjyqësor edhe shkarkimi i Damevës ka qenë joligjor sepse sipas nenit 8, paragrafi 4 i ligjit për Këshillin Gjyqësor janë të nevojshme më së paku 8 vota për shkarkim ose zgjedhje, ndërsa Dameva u shkarkua me vetëm 7 vota të Këshillit. Gjithashtu sipas Rregullores së Këshillit, propozuesi për shkarkim, në këtë rast zëvendësi i saj Selim Ademi, nuk guxon të votojë, që do të thotë Dameva është shkarkuar me vetëm 6 vota sepse vota e Ademit është jo valide.