Ankesë për manipulim me konkursin në Gjimnazin e Kërçovës! Drejtori i Shkollës i hedh poshtë akuzat

TË FUNDIT

Në shkollën e mesme Komunale “Mirko Mileski” në Kërçovë së fundmi ka pasur një konkurs për mësimdhënës.

Është hapur më 30 korrik dhe ka zgjatur deri më 5 gusht.

Në redaksinë e TV21 arriti një ankesë për manipulim me konkursin. Toni Simjanovski ankohet se bashkëshortja e tij Tanja Simjanovski edhe pse me vlersim 8.71 dhe me 16 vite përvojë pune nuk është pranuar si mësimdhënëse në këtë gjimnaz e në vend të saj sipas tij janë pranuar dy të tjera me më pak përvojë dhe me vlerësim më të ulët, për më tepër sipas tij, kanë konkurruar pasi është mbyllur konkursi.

Sipas dokumentacionit që posedon kanë parashtruar ankesa në të gjitha institucionet përkatëse, por siç shton, drejtori i gjimnazit nuk e ka marrë fare në konsideratë ankesën dhe konkursi nuk është anuluar siç ndodh rëndom pas një ankese.
Për këto TV21 kërkoi qëndrim nga drejtori i gjimnazit, Branisllav Stojanoski, i cili i hodhi poshtë akuzat dhe tha se gjithçka është bërë në bazë të procedurave dhe ligjeve.

Toni Simjanovski thotë se nuk do të ndalet me kaq dhe se do ta ndjekë rastin në rrugë ligjore, e nëse ligji në vendin tonë nuk vepron, zotohet se do ta parashtroj rastin në Gjykatën e Strasburgut.