Bullgaria nuk mund t’i ndryshojë pozicionet e saja, sepse ka deklaratë të Parlamentit dhe vendim të Qeverisë. Ajo që po thuhet brenda BE-së është problem i Unionit dhe është problem i Brukselit, jo problemi ynë këtu.
Këtë e deklaroi ambasadori bullgar në vend, Angel Angellov duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas Mëngjesit të punës në Ministrinë e Punëve të Jashtme të organizuar në kuadër të presidencës maqedono-bullgare të Procesit të Berlinit nëse Sofja do t’i ndryshojë pozicionet e saj në lidhje me kornizën negociuese për Maqedoninë të përfshira në memorandumin shpjegues në të cilën, ndër të tjera, “kontestohet gjuha dhe kombi maqedonas dhe e cila sot është në rendin e ditës të KOREPER – Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm në Bruksel”.
I pyetur nëse ka veto bullgare në konferencën e parë ndërqeveritare deri në fund të vitit nëse historianët e të dy vendeve në Komisionin e Përbashkët nuk arrijnë një marrëveshje mbi çështjet e pazgjidhura, ambasadori bullgar shmangu pyetjen, duke thënë se takimi i sotëm është i përqendruar në procesin e Berlinit.
“Tani jemi përqendruar në përfundimin e Procesit të Berlinit dhe t’i tregojmë të gjithë Evropës se mund të përfundojmë diçka të suksesshme së bashku”, tha ambasadori bullgar.
Lidhur me atë se ku Bullgaria i sheh pretendimet territoriale në Marrëveshjen e Prespës nga pala maqedonase me aplikimin e emrit të shkurtër të vendit, ambasadori Angelov përsëri shmangu të përgjigjet, duke theksuar se takimi i sotëm është në kontekstin e procesit të Berlinit, i cili siç tha, “është shumë i rëndësishëm dhe duhet të ndihmojë në ndërtimin e besimit midis dy vendeve tona”.
“Ne kemi shumë pritje që Procesi i Berlinit do të sjellë afrim midis administratave të dy vendeve sepse si bashkëkryesues ne presim rezultate nga takimet e ministrave të Punëve të Brendshme përmes ministrave të Mbrojtjes Sociale, ministrave të Shëndetësisë dhe ministrave të Punëve të Jashtme. Të dy administratat duhej të punojnë së bashku. Kovid erdhi dhe i ndryshoi planet, por përkundër kësaj mendoj se në fund të fundit do të jemi në gjendje të arrijmë disa rezultate që do të jenë të dukshme dhe do të kontribuojnë në rajon dhe afrimin e tij me BE-në”, tha Angellov.
