Vihen në përdorim një pjesë e parkingjeve të reja publike në Dibër

TË FUNDIT

Një pjesë e parkingjeve të reja publike në Dibër, që ndodhen pranë Qendrës së Kulturës dhe sallës sportive “Dibra”, tashmë janë në shërbim të qytetarëve.

Autoritetet htonë se punimet po zhvillohen me ritëm të shpejtë dhe së shpejti do të jenë në dispozicion të gjitha 300 vendet e parkimit, duke krijuar kushte më të mira për qytetarët dhe vizitorët.

Nga Komuna thonë se parkingu i ri, i cili ndodhet në afërsi të qendrës së qytetit, ka ndihmuar në zbutjen e problemit të mungesës së vendeve të parkimit, veçanërisht gjatë verës, kur në vendlindje kthehen shumë mërgimtarë.

“Hapësira e re e parkingut ndodhet në afërsi të drejtpërdrejtë të qendrës së qytetit. Vënia e tyre në funksion ka kontribuar shumë në tejkalimin e problemit të mungesës së vendeve të parkimit. Ky problem është i pranishëm prej vitesh, veçanërisht gjatë periudhës së verës, kur mërgimtarët kthehen në vendlindje”, thonë nga Komuna.

Vlera e përgjithshme e projektit është 16.215.470 denarë, ndërsa investitor është Komuna e Dibrës.

Në afërsi, përveç objekteve tregtare, ndodhen edhe objektet e Departamentit për Punë të Brendshme dhe zyra e gjendjes civile, ku shumë mërgimtarë aplikojnë për dokumente. Ndërkohë, oborri dhe terreni sportiv i Shkollës Fillore Komunale “Penestia”, sikurse edhe verat e kaluara, tashmë janë shndërruar në hapësirë parkimi.