Anëtarësimi i përshpejtuar i Ukrainës në NATO, Stoltenberg: Vendimi merret me konsensus

TË FUNDIT

Menjëherë pasi Vladimir Putin shpalli aneksimin e 4 rajoneve të pushtuara të Ukrainës, presidenti Volodimir Zelensky dorëzoi kërkesën për anëtarësim të përshpejtuar në aleancën ushtarake të NATO. Ai tha se Kievi prej kohësh kishte qenë anëtar de faktor i bllokut të sigurisë ndërsa u zotua se do të çlirojë të gjitha territoret e pushtuara nga Rusia, përfshirë gadishullin e Krimesë.

Megjithatë shefi i NATO, Jens Stoltenberg ia kujtoi Ukrainës se vendimi për t’u anëtarësuar ishte në dorën e 30 shteteve anëtare.

“Aleatët e NATO, kur u takuan në samitin e Madridit e bënë të qartë se mbështesin të drejtën e Ukrainës për të zgjedhur rrugën e vet. Por vendimi për anëtarësimin duhet të merret me konsensus nga 30 anëtarët’, tha Stoltenberg.

Një rezolutë e prezantuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria në Këshillin e Sigurimit të OKB, e cila dënon shpalljen e paligjshme të aneksimit të rajoneve ukrainase, u rrëzua pas vetos së Rusisë. Në një votim pasditen e së premtes, 10 shtete, përfshirë SHBA dhe Britaninë votuan në favor, ndërsa Kina, Gaboni, India dhe Brazili abstenuan. Rusia ishte i vetmi vend që votoi kundër rezolutës.