Presioni amerikan ndaj Moskës rritet. Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar paketën e re të sanksioneve dhe tarifave ndaj Rusisë dhe Iranit, në një nga nismat më të rëndësishme të Kongresit amerikan lidhur me luftën në Ukrainë.
Projektligji kaloi me 262 vota pro dhe 159 kundër. Në favor të tij votuan edhe 58 demokratë, ndërsa kundër u shprehën shtatë republikanë.
Nisma, synon të godasë burimet kryesore të të ardhurave të Moskës, veçanërisht sektorin energjetik dhe industrinë e mbrojtjes.
Në shënjestër është edhe e ashtuquajtura “flota hije” e përdorur për të shmangur sanksionet dhe për të vijuar eksportin e naftës ruse.
Ligji parashikon gjithashtu tarifa të larta ndaj vendeve që vazhdojnë të blejnë energji nga Rusia.
Pas miratimit në Dhomën e Përfaqësuesve dhe më herët në Senat, projektligji tashmë i kalon Presidentit Donald Trump, i cili pritet të vendosë nëse do ta nënshkruajë.
