Aleatët e Kadyrov përfitojnë miliona nga asetet e konfiskuara në Rusi, nipi i tij bëhet miliarder “brenda natës”

TË FUNDIT

Familjarë dhe aleatë të afërt të liderit çeçen Ramzan Kadyrov kanë përfituar miliona pas sekuestrimit nga Kremlini të bizneseve perëndimore në Rusi, sipas një hetimi të projektit Explainer, të publikuar nga The Moscow Times.

Sipas raportit, pas marrjes nën kontroll nga shteti të operacioneve të gjigantit francez të ushqimit Danone në Rusi, nipi i Kadyrov-it, Yakub Zakriev, dhe ish-ndihmësi i tij Ruslan Alisultanov janë kthyer në miliarderë brenda një kohe të shkurtër.

Në korrik 2023, Zakriev u emërua drejtues i “Danone Russia”, kompani që më pas u riemërua “Logika Moloka”.

Vetëm pak muaj më vonë, ai bleu një pronë luksoze pranë Moskës me vlerë rreth 1 miliard rubla, ndërsa dokumente bankare tregojnë se në fillim të vitit 2024 ai hapi një depozitë prej 1.5 miliard rubla në Gazprombank.

Hetimi pretendon se Zakriev, i cili më parë ka mbajtur poste në administratën rajonale çeçene, tani paguhet me deri në 14 milion rubla në muaj në formë page dhe bonusesh.

Ndërkohë, Ruslan Alisultanov, i cili përmendet si përfituesi kryesor i kompanisë së re të bulmetit, sipas raportit zotëron depozita mbi 4 miliard rubla dhe ka blerë një apartament luksoz pranë Kremlinit me vlerë rreth 3 miliard rubla.

Danone, e cila operonte në Rusi që nga viti 1992, u tërhoq nga tregu pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Në korrik 2023, presidenti Vladimir Putin firmosi dekretin për kalimin e përkohshëm të aksioneve të kompanisë nën administrim shtetëror, përpara se asetet të kalonin në duart e strukturave të lidhura me aleatët e Kadyrov-it.