Alarm për bombë në 5 shkolla/ Denoncimi në MPB u bë përmes e-mailit

TË FUNDIT

Një e-mail në adresë të Ministrisë së Brendshme la pa mësim nxënësit e 5 shkollave të mesme të Shkupit. Në të shkruhej se nëpër shkolla janë vendosur bomba.

Alarm për bombë në 5 shkolla të mesme te Shkupit. Denoncimi ka arritur në MPB përmes e-mailit.  Njësiti anti-terror menjëherë doli në terren, ndërsa shkollat menjëherë u evakuuan.

Nga MPB njoftojnë se kanë pranuar e-mail kërcënues për vendosje të bombave në shkollat “Orce Nikollov”, “Nikolla Karev”, “Josip Broz Tito”, “Rade Jovçevski-Korçagin” dhe “Boro Petrushevski”.

Në shkollën “Orce Nikollov” ku qëndroi ekipi i TV21 nuk lejohej afrimi deri tek godina.

Ekipet policore vijonin kontrollet.

“Menjëherë pas marrjes së denoncimit, zyrtarët e policisë kanë marrë masa për evakuimin e sigurt të shkollave. Më vonë u raportua se i njëjti kërcënim me e-mail është pranuar edhe në tre shkolla të tjera në territorin e Shkupit, ku po ashtu janë marrë masa për evakuimin e sigurt të shkollave. Menjëherë janë dërguar ekipet e kontrollit antiterror dhe po merren masa për zbardhjen e rastit. Në disa shkolla tashmë ka përfunduar kontrolli dhe është konstatuar se bëhet fjalë për kallëzim të rremë.”, thonë nga Ministria e Brendshme.

Alarme të këtilla janë bërë të shpeshta kohëve të fundit. I fundit ishte para një jave në ndërmarrjen qarkulluese publike në Shkup, ku pas një e-maili për bombë, të gjithë autobusët u tërhoqën nga qarkullimi. Personi në emër të të cilit ishte dërguar e-maili u arrestua, por më pas u lirua  nga akuzat pasi, siç u tha, i ishin keqpërdorur të dhënat personale.