Ky është vendi ku mbrëmë ndodhi aksidenti tragjik në rrugën magjistrale në Kërçovë, kur si pasojë në vendin e ngjarjes mbetën 3 viktima.
“Ndodhemi në rrugën magjistrale të Kërçovës pikërisht ku mbrëmë ndodhi një aksident tragjik. Në këtë aksident u përfshinë tre vetura dhe humbën jetën tre persona. Ky vend ku ndodhemi në është magjistralja e cila kalon përmes Kërçovës, ndërsa vendi quhet tek bunari i Seferit. Kërçovarët e dinë se ky vend tanimë njihet për aksidente të shumta të cilat përfundojnë me fatalitet”, raporton gazetarja Salije Sadiku Pinjolli nga TV21.
Raporti i Sektorit për punë të Brendshme Ohër njoftoi për identitetin e tre viktimave.
“Në vendin e ngjarjes ka vdekur Z.D dhe H.E, ndërsa bashkudhëtarja në veturën Opel B.E 38 vjeç u transferua në Urgjencën e Kërçovës ku ndërroi jetë. Vdekja është konstatuar nga ekipi mjekësor ndërsa me urdhër të Prokurorit Publikë trupat e pa jetë janë dërguar për obduksion”, tha Stefan Dimovski, zëdhënës I SPB Ohër.
Në aksident siç thuhet në raportin e policisë morën pjesë tre vetura: Mercedes, Ford dhe Opel.
Nga ky aksident mbetën të lënduar 8 persona te tjerë mes të cilëve edhe fëmijët e çiftit.
“Në veturë kanë qenë 6 persona prej të cilëve një çift bashkëshortor të cilët kanë ndërruar jetë, ata janë qytetarë me dokumente të jashtme me prejardhje nga qyteti jonë. Gjithashtu në veturën e tyre ka pasur edhe 3 fëmijë të tyre që janë minoren të lindur në vitet 2013, 2016 dhe 2021 në veturën e tyre ka qenë edhe një person më i vjetër, nëna e njërit nga të vdekurit. Çifti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes ndërsa gruaja më e moshuar është në gjendje stabile me trauma dhe është dërguar me ndihmën e shpejtë në spitalin Shën Naumi i Ohrit në Shkup. Të tre fëmijët janë stabilizuar, u janë vendosur mjekime intravenoze dhe janë dërguar në Shkup me ndihmën e shpejtë në Klinikën Kirurgjike për fëmijë, një nga fëmijët është në gjendje më të rëndë”, tha Maja Cvetanovska Trajkovska, drejtoresh e Spitalit të Kërçovës.
Për këtë ngjarje të rëndë e cila tronditi Kërçovën foli edhe Ministri i Punëve të Brendshme Panço Toshivski i cili tha se sipas informacioneve që posedon, shpejtësia e lartë ka qenë arsye e aksidentit fatal.
“Sipas informacioneve të para që i morra bëhet fjalë për një shpejtësi të lartë nga ana e njërit nga pjesëmarrësit në aksident i cili për fat të keq ka nderuar jetë”, tha ministry I Punëve të Brendshme Panço Toshkovski.
Nga Prokuroria Publike njoftuan se janë marrë të gjitha provat e nevojshme për të vërtetuar shkakun e aksidentit, ndërsa trupat e pa jetë me urdhër të Prokurorisë janë dërguar për obduksion.