Brenda kësaj garazhe është e parkuar kjo makinë, të cilën pronari i vet e quan bishë.
Në pamje të parë të jep përshtypjen se ka të bëjë me një makinë garave Formula, por do të ndryshoni mendim sapo ta shihni nga prapa.
Ky mjet lëvizës, gjysmë makinë e gjysmë motor është punuar nga automekaniku Bajram Ramadani.
Me 2 rrota përpara e 1 mbrapa, ky mjet bën start shumë më të vrullshëm se një makinë
Ramadani shpalos detaje se si e filloi dhe se si i erdhi ideja që të bëj këtë lloj makine.
“Themeli i kësaj ka qenë dy shinat e para, ja këtu diku e kam rregulluar. I kam marr dimensione sikurse për katër rrota, mandej kam filluar ta bëj sikur për katër dhe pastaj e kam bërë me një mbrapa”, tha Bajram Ramdani, automekanik.
TV21: Përse e ke bërë me një rrotë mbrapa, apo vetëm që të jetë e veçantë.
“Vetëm me qenë e veçantë, më interesant”, u shpreh Ramadani.
Në këtë moto-veturë janë përdorur amortizues të makinave, të cilët së bashku me trupin, i japin mjetit lëvizës aerodinamikë të paparë, sidomos gjatë vozitjes në shpejtësi të madhe.
“Ka disa pjesë makine siç është krahu i veturës domethënë timoni i veturës, mbajtëset e poshtme, amortizimet janë të motorit, dhe mbajtëset lartë, kjo është bërë me dy sepse, amortizimet e veturës nxinin shumë vend dhe ashtu nuk mundesh t’ia japish aerodinamikën që e ka tani, sepse i pengonin ato amortizime për këtë arsye e kam bërë me dy palë mbajtëse”, theksoi Bajram Ramadani, automekanik.
Bajrami thotë se pjesën më të madhe të këtij e projekti e ka bërë gjatë kohës së karantinës. Ai thotë se nuk është aq i pasionuar pas makinave të reja, të shtrenjta, luksoze e sportive, sepse të gjitha këto kritere i posedon edhe moto-vetura e tij, të cilën e ndërtoi i vetëm në këtë garazhe të vogël.
