AAK: Koncertet nuk zgjidhin problemet e mërgimtarëve

TË FUNDIT

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ngriti shqetësim për problemet e mërgimtarëve me të cilat përballen në Kosovë. Kërkuan angazhim serioz e jo organizime të këngëve e valleve për të zgjidhur problemet e tyre. Në ministrinë e diasporës ndërkaq, thonë se po bëjnë çdo gjë që është brenda kompetencave të tyre.
Kënga dhe vallja nuk mund t’i zgjidhë problemet e mërgimtarëve ku me të hyrë në territorin e Kosovës nisin telashet, me të cilat do të përballen gjatë gjithë kohës sa qëndrojnë në Kosovë, duke filluar me pritjet e gjata në pikat kufitare, me pritje të gjata në aeroport, me çmime të larta të agjencive të fluturimeve e probleme të tjera. Këto shqetësime i ngriti Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kjo parti vlerësojnë se drejtuesit e Ministrisë së Diasporës nuk po bëjnë gjë tjetër veçse po shkojnë hapave të ministrisë së mëhershme duke mos bërë asgjë konkrete për mërgimtarët.
“Fatkeqësia është se Ministria e Diasporës ka vazhduar punën e ish-ministrit apo më mirë me thënë ish-Qeverisë, për arsye se s’ka bërë asnjë zgjedhje të cilat janë pritur nga ministri i ri. Ka shumë probleme, mërgimtarët kanë probleme të mëdha. Së pari është premtuar kartoni i gjelbër, nuk është përfunduar kjo punë”, tha Jahja Lluka, AAK.
Por në Ministrinë e Diasporës insistojnë se aktivitet kulturore të organizuara vetëm për mërgimtarët janë ide me vend.
“Jemi futur thellë në të gjitha problemet që i ka diaspora apo mërgata jonë. Dhe qe një muaj kemi pasur aktivitete të larmishme, diku mbi 200 aktivitete të ndryshme janë zhvilluar për hir të diasporës që kanë ardhur për vizitë në Kosovës për shkak se ata janë pjesë e kombit tonë…”, tha Sahit Krasniqi, zëvendësministër i Diasporës

Në AAK kërkuan zgjidhje të përhershme për mërgimtarët përmes krijimit të një aviokompanie kosovare.

“Institucionet e Kosovës është dashtë edhe më herët me ndërmarr shumë masa për krijimin e një avio kompanie të Kosovës dhe që kjo të kanalizohet në mënyrë të rregullt institucional. Unë po them prej informatave të sigurta që njerëzit të cilët i kanë mashtruar mërgimtarët tonë përmes internetit, me shitje online, e çka po di unë, ajo avio-kompani e ka pas licencën dhe ende ekziston në orarin e fluturimeve të aeroportit të Prishtinës. Këto janë çështje qesharake”, tha Jahja Lluka nga AAK.
Në ministrinë e Diasporës, ndërkaq, thonë se këtë përgjigje ta marrin në ministritë përkatëse për këto punë.
“Ajo është jashtë kompetencës së ministrisë, dhe është jashtë marrëveshjes së ministrisë…Çështjet financiare, çështjet me dokumentacion, i kanë Ministria e Punëve të Brendshme, kanë punë edhe Ministria e Jashtme. Ne vetëm mund t’i shpejtojmë, mundë të kërkojmë në forma zyrtare që ky problem të evidentohet”, tha Sahit Krasniqi, zëvendësministër i Diasporës.
Aktivitetet kulturore dhe sportive, të cilat janë paraparë të zhvillohen nga Ministria e Diasporës dhe partnerët e saj, kanë nisur më 17 qershor dhe do të përfundojnë më 3 shtator./ 21 Media