Zv/ministrja për Punë të Jashtme, Fatmire Isaku që vjen nga radhët e PDSH-së nuk deshi të përgjigjet nëse në zgjedhjen e këshilltarëve në Këshillin strategjik për politikë të jashtme është pyetur edhe ajo. Në pyetjen e TV21 nëse do te mund të xhirojmë një deklaratë, ajo u përgjigj se nuk ka kohë për shkak të angazhimeve. Por kur kërkuam së paku qëndrim me shkrim, Isaku heshti.
Ndërkohë nga ana tjetër zv/kryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, tha se përzgjedhja e Bozhinovskës është vendim i Osmanit. Vlerëson se ka linja të kuqe se kush mund të kyçet në debate brenda këtij këshilli. Sipas tij nuk mund të kyçen njerëz që kanë bërë thirrje për eliminim të dikujt vetëm pse nuk kanë pasur mendime të njëjta me dikë.
“Unë jam një prej personave që hap hapësirë për gjithë përfshirje, por gjithë përfshirje deri në nivelin ku njerëzit e caktuar nuk kanë bërë thirrje për eliminim të dikujt tjetër vetëm për shkak të ngjyrës ose gjuhës që ai e flet. Unë besoj fuqishëm se krijimi i një shoqërie për të gjithë bëhet duket përfshirë të gjithë dhe duke ju dhënë hapësirë të gjithëve për të diskutuar dhe për të debatuar, por ajo nuk do të thotë se krijimi i politikave varet pikërisht nga këta njerëz”, tha Fatmir Bytyqi – zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike.
Ndërkohë që Valentina Bozhinovskën, që kërcënonte në protestat para KSHZ-së në 2016-tën, nuk e njeh ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
“Të jemi i sinqertë me ju dhe opinionin, hera e parë që dëgjoj për Valentina Bozhinovskën. Unë si ministër i Ekonomisë nuk kam pasur mundësi të dëgjoj për atë figurë. Nuk kam koment”, tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Nga koalicioni ASH dhe AAA zgjedhjet e djeshme i shohin si veprim për të ruajtur shumicën e brishtë të shumicës.
“Është plotësisht e pakuptueshme se çfarë strategjie mund të na përgatisin figurat shovene dhe të komprometuara si Valentina Bozhinovska dhe Sergjan Kerim. Ju rikujtojmë se Sergjan Kerim ishte i akuzuar për kalim ilegal në kufi të parave të fshehura në shishe. Ndërkaq Valentina Bozhinovska është e njohur mirë për opinionin kur e frymëzuar nga veprat e Adolf Hitler kërkoi që në stil të tij të kryhet operacioni i natës së thikave”, u shpreh Shefik Duraku nga Aleanca për Shqiptarët.
Ndërkohë që ministri Osmani vlerësoi se ka qenë i vetëdijshëm për pikëpamjet e këshilltarëve.
“Unë kam qenë i vetëdijshëm për pikëpamjet kundërthënëse ose të cilët mund të ngrenë zhurmë në opinion, por kjo ka qenë ideja ime. Një Këshill strategjik I cili do të debaton, i cili do të kundërshtohet në mendime, por në fund do të jep një pikëpamje gjithëpërfshirëse për politikën e jashtme”, potencoi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.
Zgjedhja e Bozhinovskës si këshilltare nxiti reagime në opinion, ndërkohë që Bozhinovska mbrëmë menjëherë u tërhoq nga Këshilli, për arsye shëndetësore siç tha ajo për A1on.
