Pritje të reja për avancimin e bisedimeve pushtet-opozitë për projektligjin për Prokurorinë. Nga Ministria e Drejtësisë thonë se janë në pritje që opozitarja VMRO-DPMNE të ndryshojë qëndrim.
“Presim sinjale nga VMRO-DPMNE për ndryshim të qëndrimit dhe tërheqje e kërkesës së tyre për amnisti përmes dispozitave ligjore”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Ky është ‘spin’ i pasuksesshëm i LSDM-së për të justifikuar më votë mos marrjen e datës për bisedimet aderuese, i tha TV21 deputeti i VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshovski. Shtoi se VMRO u qëndron amendamenteve që i ka dorëzuar. Edhe zëdhënësi Naum Stoillkovski thotë se nuk bëhet fjalë për ndonjë tërheqje.
“Nuk bëhet fjalë nëse duhet të heq dorë nga ndonjë kërkesë por këtë e parashikon ligji. Atë që e përmendni, për ndonjë pandëshkueshmëri, respektivisht atë që e thonë nga Ministria e Drejtësisë që arsyetohet me termin “amnisti”, publiku është dëshmitar se amnistia e vetme për të cilën qytetarët kujtohen, është amnistia selektive për nevojat e pushtetit për projektin “ndryshim i kushtetutës”, me qëllim ndryshimin e emrit kushtetues”, u shpreh zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.
Stoillkovski ripërsëriti kërkesën e partisë së tij që teksti para se të miratohet, të dërgohet për vlerësim në Komisionin e Venecias. Ditë më parë Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska tha se është e gatshme ta dërgojë tekstin atje, por pasi të jetë miratuar. Të premten, pas takimit, ajo deklaroi se është e papranueshme kërkesa e opozitës për të anuluar lëndët, dëshmitë dhe masat e ndërmarra në rastet e Speciales.
Nga Ministria e Drejtësisë, por gjithashtu edhe nga VMRO-DPMNE-ja thonë se nuk është caktuar ndonjë takim i radhës për projektligjin.
Përgatiti: Besir Arifi
