A po mbinë edhe një ndërtesë në Butel? Banorët protestojnë: Do të na zë dritën

TË FUNDIT

Banorët e Butelit në rrugën “Hristian Todorovski-Karposh” dolën në protestë. Ata e kanë kuptuar se në lagjen e tyre do të ndërtohet një ndërtesë 30 metra e lartë, për çka janë kundër, sepse siç thonë kjo ndërtesë do t’ua zë dritën.

“Ju kemi ftuar për ta alarmuar bashkërisht iniciativën e investitorit privat që ka për qëllim të ngrit një mur 30m të lartë, këtu para lagjes ku jetojmë dhe kërkojmë. Ne nuk jemi kundër që të ndërton mirëpo jo të bëj ndërtesa të larta këtu 30 metra. Le ta ndërton, le ta bëjë 3 ose 4 kate nuk është problem, nuk na pengon mirëpo iniciativa e tij e prish gjithë rendin e lagjes këtu”, tha Sejdulla Alimi, banor.

Kryetari i Komunës së Butelit, Velimir Smilevski për TV21 tha se nuk do të lejojnë ndërtim deri në 11 kat siç kërkon investitori. Sipas tij ende nuk ka vendim përfundimtar për lejen e ndërtimit, sepse siç shtoi, ministria e Transportit ka miratuar ndërtim deri në shtatë, e Qyteti i Shkupit propozon ndërtim vetëm pesë kat.

“Miratimi në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve është shtatë për kat. Puna nuk është e kryer, propozimi për Planin detal urbanistik është kthyer nga Qyteti i Shkupit, të cilët kërkojnë që të jetë pesë kat. Do ta shohim, do t’i shqyrtojmë të gjitha mundësitë, por edhe pronari i tokës, përpiluesi i Planit detal urbanistik, momentalisht kërkon ndërprerje, por do ta shohim. Procedura është ligjore, sepse është rrugë e rregullt dhe mund të bëhet objekti deri në 11 kate. Mirëpo ne nuk kemi lejuar, atëherë pronari kërkonte që të jetë 11 kate e ne i tham vetëm shtatë”, deklaroi Smilevski.

Përndryshe ndërtesa është paraparë që të behet në formë kaskade në një sipërfaqe prej 5000m2 – tha kryetari i komunës së Butelit. Ndërkaq investitori për të cilin banorët thonë se është nga Tetova, momentalisht e ka ndërprerë procedurën, për shkak se i është refuzuar kërkesa për objekt 11 katësh. Banorët e lagjes paralajmërojnë masa më radikale, duke shtuar se nuk do të lejojnë ndërtimin e objektit, ku thonë se duhej të kishte zonë të gjelbëruar.