LSDM kritikon: Është mashtrim i Qeverisë / Mickoski: Më mirë se asgjë
Opozitarja LSDM akuzon se ulja e marzhës është mashtrim i madh i Qeverisë për shkak se një pjesë e madhe e çmimeve nuk janë ulur, disa janë ulur minimalisht, ndërsa për disa produkte çmimet janë edhe më të larta. Përveç fushatës me ngjitësit “çmim i garantuar” asgjë tjetër nuk është ndryshuar, thonë socialdemokratët dhe sipas tyre masat e tilla i mbrojnë tregtarët e jo qytetarët.
Edhe ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska tha se kjo masë nuk jep rezultate të veçanta sepse shpenzimet janë ulur për 900 denarë, po ashtu është e vështirë të kontrollohet nëse respektohet. Kryeministri Mickoski thotë se edhe kjo është më mirë sesa të mos ketë fare korrigjim.
Për kërkesën e opozitës për rritjen e pagës minimale në 450 euro, për të cilën tashmë kanë dorëzuar ndryshime ligjore në Kuvend, Mickoski thotë se qëndrimi i Qeverisë nuk është që të rritet paga dhe me këtë të rritet inflacioni.
Përndryshe masa e qeverisë për kufizimin e marzheve përfundon në fund të muajit, por paralajmërohet se një masë e tillë, por me produkte të tjera, është planifikuar për festat e Vitit të Ri.
