A ka ende Covid-19? Petliçkovski: Vaksinat, mënyrë më efikase për mbrojtje

TË FUNDIT

Jemi në  prag të sezonit të gripit, por çfarë u bë me virusin Covid-19!? Drejtori i Institutit të Imunologjisë, Aleksandar Petliçkovski, thotë se virusi ende është i pranishëm dhe se qytetarët mund të preken me të dyja infeksionet njëkohësisht, edhe me grip edhe me kovid.  Ai shtoi se kjo  shkakton komplikime në gjendjen shëndetësore të pacientit. Sipas tij tashmë OBSh ka publikuar disa raste të tilla në hemisferën jugore, tha ai.

“Janë të publikuara raste të infeksioneve paralele edhe me grip edhe me Covid-19, nuk janë shumë të shpeshta por paraqesin një gjendje që mund të lind komplikime, edhe për njërën gjendje edhe për tjetrën, vaksinat janë mënyrë më efikase që të minimizohen komplikimet”, tha Aleksandar Petliçkovski, drejtor i Institutit të Imunologjisë.

Petliçkovski tha se në javët në vazhdim do t’ua mundësojnë pacientëve që të imunizohen në të njëjtin punkt ose pikëvaksinimi, me të dyja vaksinat edhe atë anti-covid edhe kundër gripit.

“Në javët në vijim do të mund paralelisht ta kryejnë vaksinimin me një të ardhur në mjek, ta kryejnë vaksinimin për të dyja gjendjet. Ky apel është për grupet e rrezikuara që janë të ngjashëm për të dyja gjendjet”, deklaroi Aleksandar Petliçkovski, drejtor i Institutit të Imunologjisë.

Ministria e Shëndetësisë ka nisur procedurë për blerje të vaksinave bivalente të përshtatura ndaj mutacioneve të reja të Covid-19, bëri të ditur Aleksandra Grozdanova nga Komiteti i Imunizimit.

“Planifikohet blerja e vaksinave shtesë, ato janë vaksinat e reja dyvalente që e kanë edhe llojin origjinal të SARS-CoV-2 si dhe llojin Omicron. Pritet që të kenë mbrojtje më efikase”, tha Aleksandra Grozdanova, koordinatore kombëtare për imunizimin.

Autoritetet shëndetësorë apelojnë te qytetarët, sidomos grupet e rrezikuara që sa më parë të krijojnë imunitet ndaj gripit dhe virusit korona, nëpërmjet vaksinimit. Përndryshe javën e kaluar nisi vaksinimi kundër gripit me një interes të lartë, përderisa intensiteti i vaksinimit ndaj covid-19 ka rënë dukshëm.