A është stabile përbërja qeverisëse? Mexhiti thotë se nuk jep dorëheqje, Xhaferi vëzhgon situatën

TË FUNDIT

Dy nga tre ministrat e ASH-së, Fatmir Mexhiti dhe Azir Aliu, i kanë dalë në mbështetje kryetarit të partisë Arben Taravari, i cili dëshiron të bashkohet me opozitën shqiptare. Megjithatë si duket nuk u konvenon që të japin dorëheqje nga postet ministrore, të cilat i morën kur u bënë pjesë e  pushtetit. Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti thotë se është gjithnjë në anën e Taravarit dhe e mirëpret ­çdo vendim që del nga ai, por nuk precizoi nëse do të deponojë dorëheqje.

“ASh është NJË, ASh ka kryetarin legjitim dhe ASh do të vazhdojë me politikat e saja, posa­çërisht me politikat shëndetësore që vërtet ky shtet nuk i ka ndje 30 vjetët e fundit, për këto 11 muaj. A mundet më mirë? Mundet shumë më mirë. Për gjithçka tjetër do të jeni të informuar nga organet e partisë, do të ndjekim se si do të ec situate. Ne nuk kemi pse japim dorëheqje prej postit të Ministrit të Shëndetësisë, ne vazhdojmë me politikat shëndetësore”, deklaroi Fatmir Mexhiti – ministër i Shëndetësisë.

I pyetur për ndasitë në Aleancën për Shqiptarët dhe për ndikimin e mundshëm të kësaj gjendje në përbërjen qeverisëse, kryeministri teknik, Talat Xhaferi thotë se në rast se tërhiqet ndonjë ministër nga ASh-ja, do të propozojë emër të ri.

“Unë nuk jam politikan Facebook-u, nuk jam kryeministër që qeveris sipas deklaratave dhe aktiviteteve në Facebook. Unë jam kryeministër i kësaj qeverie, për të cilën kam propozuar një përbërje, prandaj anëtarët e qeverisë duhet të deklarohen zyrtarisht në një situatë kur kanë pikëpamje të kundërta, të deklarohen në vijë institucionale, a kanë ndjenja të që i përkasin kësaj përbërje ose jo!?”, theksoi Talat Xhaferi, kryeministër teknik.

Këtë situatë dje e komentoi edhe ish kryeministri dhe lideri i LSDM-së Dimitar Kovaçevski, duke thënë se  nuk duhet të përzihet pjesa politike me atë profesionale që e zbatojnë ministrat.

Përndryshe ndodhitë në ASH përshkallëzuan pasi kryetari i partisë, Arben Taravari paralajmëroi se në zgjedhje do të dalë me opozitën shqiptare, gjë me të cilën nuk pajtohet ish kryetari Ziadin Sela i cili kërkoi që të thirret Kuvendi i partisë që të kërkohet përgjegjësi nga Taravari.