Rreth 66.800 qytetarë janë paraqitur për vaksinim kundër gripit sezonal, në dispozicion 56.000 vaksina

TË FUNDIT

Rreth 66.800 qytetarë janë paraqitur deri dje për vaksinim kundër gripit sezonal në Maqedoninë e Veriut, përcjell TV21. Nga 6.700 qytetarët që janë ftuar përmes mesazheve SMS, gati 3.300 janë vaksinuar gjatë tri ditëve të punës, deklaroi sot ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.

Sipas tij, aktualisht vaksinohen rreth 1.000 qytetarë në ditë, ndërsa synimi është që ky ritëm të rritet në 1.700 deri në 2.000 vaksinime në ditë.

Numri më i madh i qytetarëve të paraqitur është nga Shkupi, me gati 20.000 persona, pasuar nga Manastiri, Prilepi, Strumica dhe Tetova.

Ministri njoftoi se është lidhur kontratë për furnizimin me 26.000 vaksina të tjera, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vaksinave në dispozicion në 56.000. Deri në fund të nëntorit pritet të mbërrijnë edhe 30.000 vaksina të tjera, me çka numri i përgjithshëm do të arrijë në 86.000.

“Ka vaksina të mjaftueshme për të gjithë. Të gjithë do të vaksinohen dhe kërkoj nga qytetarët pak durim, derisa të marrin ftesën e tyre”, deklaroi Klekovski.

Ai shtoi se këtë javë shtëpitë e shëndetit do të fillojnë vaksinimin në shtëpitë e personave të moshuar, ndërsa nga java e ardhshme do të vaksinohen edhe pacientët në qendrat e dializës.

Klekovski bëri të ditur se rreth 500 qytetarë nuk janë paraqitur në terminet e caktuara për vaksinim, që përbën afërsisht 13 për qind të termineve të parealizuara. Ai u bëri thirrje qytetarëve që nuk mund ta shfrytëzojnë terminin e caktuar, ta anulojnë atë, në mënyrë që të lirohet vend për dikë tjetër.

Duke komentuar vaksinimin në Slloveni dhe Kroaci, i cili pritet të fillojë në fillim të nëntorit, ministri tha se kjo nuk është vonesë, pasi sezoni kryesor i gripit sezonal është gjatë muajve janar dhe shkurt.

Sa i përket vaksinës BCG, Klekovski tha se ende pritet mbërritja e saj dhe se procedura për furnizim është në vazhdim. Ai shtoi se po analizohen rastet e osteomielitit nga viti 2020 e këtej dhe se pret që së shpejti të ketë informacione më të hollësishme.