“Rruga 1” dhe “Rruga 2” në Studeniçan më në fund pritet të asfaltohen, pasi të mbarojnë punimet e ujësjellësit. Asfaltimi ishte një prej premtimeve të dhëna para qytetarëve gjatë fushatës për Zgjedhjet lokale vitin e kaluar. Ata presin që punimet të mbarohen sa më shpejtë.
“Vetëm “Rruga 1” duhet të rregullohet pak afër 500 metra që është për te shkolla”.
“Duhet të lëshohen ato që janë vendosur para 20 viteve që janë vendosur gypat, por ende nuk janë lëshuar”.
“Kërkojmë nga komuna dhe kryetari i komunës që sa më shpejtë të intervenojë në Rrugën 1 dhe 2”.
Me mbështetjen e Fondacionit Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES), Qendra Ndihmëse është një nga organizatat që monitorojnë zbatimin e premtimeve të bëra gjatë Zgjedhjeve Lokale në disa komuna të Maqedonisë. Përfaqësuesi Mustafa Osmani për TV21 deklaroi se aktualisht po punohet në terren për vendosjen e rrjetit të ujesjellësit.
“Këto punime po vazhdojnë intensivisht, me një intensitet të lartë. Para dy muajsh kemi informacion se janë vendosur edhe pompa që e dërgojnë ujin deri tek rezervuari dhe të funksionojë edhe rezervuari në pjesën e epërme të fshatit për ujësjellësin dhe vendosjen e rrjetit të ri të ujësjellësit”, tha Mustafa Osmani.
Nga ana tjetër, kryetari i komunës së Studeniçanit, Ejup Abazi tha se pasi të mbarojnë punët për rregullimin e ujësjellësit, do të asfaltohen “Rruga 1” dhe “Rruga 2”.
“Këtu nuk mund të intervenohet për momentin për shkak se punohet në rregullimin e ujësjellësit. Këto dy rrugë disa herë janë asfaltuar apo janë mirëmbajtur. Mirëpo këtu problemi qëndron diku tjetër, pa u rregulluar ujësjellësi nuk intervenojmë, për shkak se duhet njëherë të rregullohet ujësjellësi dhe pastaj të ndërtohet rruga”, tha Ejup Abazi.
Sa i përket rrugës lokale që lidh Studeniçanin me fshatin Moranë, e njohur si “Rruga e Shkupit”, Osmani bën të ditur se është asfaltuar rreth 1.3 km, ndërsa për 50 metrat e mbetura, komuna pret pëlqimin nga Ndërrmarja Publike Rrugët Shtetërore, pasi kjo rrugë lokale lidhet me ate rajonale. Ai informoi se edhe te rruga e Studeniçanit që lidhet me Idrizovën punimet janë kryer diku rreth 75%. Pas kësaj, pritet të bëhet edhe projektimi i urës, e pas ndërtimit të saj, do të asfaltohet deri në pjesën që është nën kompetencën e komunës së Gazi Babës.
—
Monitorimi i zbatimit të premtimeve zgjedhore dhe masave të qeverisë lokale është aktivitet që realizohet në kuadër të projektit zviceran “Programi për Mbështetjen e Zgjedhjeve”, i zbatuar nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES). Përmbajtja dhe qëndrimet e shprehura këtu nuk pasqyrojnë në asnjë mënyrë qëndrimet e Qeverisë së Zvicrës apo të IFES-it.
