BDI: Rregullore kontroverse para Gjykatës Kushtetuese! Pyesin pse akti nuk u publikua edhe në shqip?

TË FUNDIT

BDI kundërshton Rregulloren për evidencën dhe dokumentacionin pedagogjik në shkollat e mesme, e cila nesër pritet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Sipas Arbër Ademit rregullorja është publikuar në Gazetën Zyrtare vetëm në gjuhën maqedonase, në kundërshtim me Kushtetutën.

“Neni 17 i Ligjit për përdorimin e gjuhëve parasheh që të gjitha ligjet, aktet nënligjore, vendimet dhe shpalljet nga ana e institucioneve të cilat botohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë, botohen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj dhe në gjuhën shqipe dhe alfabetin e saj”, tha Arbër Ademi.

Ademi i referohet edhe një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2023, duke argumentuar se publikimi i aktit është kusht për zbatueshmërinë e tij. Sipas Ademit, çështja qëndron te fakti nëse Gjykata do ta zbatojë të njëjtin standard edhe në rastin e gjuhës shqipe. Bazuar në këtë, vetë Gjykata Kushtetuese çështjen e publikimit e trajton si çështje rrënjësore dhe si bazë për shfuqizimin apo anulimin e akteve të kontestuara. Nga BDI i shtrojnë disa pyetje?

“1. A paraqet shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve të lartpërmendura mospublikimi i aktit të kontestuar edhe në gjuhën shqipe, apo kur është fjalë për gjuhën shqipe, e njëjta trajtohet si çështje e kategorisë së dytë dhe irelevante?
2. Çfarë domethënie ka kjo, a po hapet dera që nesër edhe ligjet të publikohen vetëm në gjuhën maqedonase?
3. Pse Gjykata po e ndryshon praktikën e vetë-etabluar gjyqësore kur është fjalë për gjuhën edhe të drejtat e shqiptarëve?”, deklaroi Ademi

Ademi thotë se ky është vetëm një paralajmërim nga BDI-ja, pasi, sipas informacioneve që kanë, Gjykata Kushtetuese nesër pritet të marrë vendim me të cilin nuk do të inicohet procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së aktit të kontestuar. Ai vlerëson se një vendim i tillë do të nënkuptonte, siç shprehet ai, “rënim të themeleve të shtetit”. Sipas ademit gjykata Kushtetuese në vazhdimësi është duke sjell vendime anti kushtetuese.