Policia gjermane këshilloi të dielën mbi 280 linja ajrore dhe 34 mijë pasagjerë që duan të fluturojnë nga aeroporti i Hamburgut se duhet ta shmangin atë deri sa të zgjidhet situata me pengmarrjen brenda aerodromit.
Prej mbrëmjes së ditës së shtunë, aeroporti në pjesën veriore të qytetit ka qenë i mbyllur për pasagjerët. Një person i armatosur po mban peng nën kërcënimin e armës vajzën e tij 4-vjeçare.
Autori 35-vjeçar arriti të depërtojë nga porta e aeroportit me automjetin e tij dhe qëlloi me armë në ajër, duke kërkuar që të udhëtojë drejt Turqisë. Policia ka njoftuar se ngjarja lidhet me një problem kujdestarie, pasi bashkëshortja e tij i kishte kontaktuar më parë për rrëmbimin e fëmijës. Prej orësh, 35-vjeçarin po e asiston një psikologe, e cila edhe po negocion për lirimin e vajzës.
Automjeti i pengmarrësit qëndron i ndalur pranë një avioni të linjës “Turkish Airlines”, pasagjerët e të cilit janë evakuar nga policia.
