Putin shpall gjendje lufte në katër rajonet e aneksuara ukrainase

TË FUNDIT

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se ka shpallur gjendje lufte në rajonet ukrainase të Donjeckut, Luhanskut, Hersonit dhe Zaporizhjës, duke u dhënë fuqi shtesë krerëve të rajoneve të Rusisë.

Këto katër rajone ukrainase Moska pretendon se i ka aneksuar.

“Kam nënshkruar dekretin për shpalljen e gjendjes së luftës në këto katër subjekte të Federatës Ruse”, tha Putin gjatë takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, që u transmetua drejtpërdrejt.

Kremlini më pas publikoi dekretin ku thuhet se gjendja e luftës do të hyjë në fuqi mëngjesin e 20 tetorit.

Putin nuk tregoi se çfarë hapash konkretë do të ndërmerren pas shpalljes së gjendjes së luftës.

Dekreti i tij u jep agjencive të zbatimit të ligjit tri ditë afat për të paraqitur propozime specifike.

“Ne po punojmë që të zgjidhim çështjet e vështira që të mbrojmë sigurinë e Rusisë dhe të garantojmë të ardhme të sigurt, të mbrojmë njerëzit tanë”, tha Putin.

“Ata që janë në vijat e luftës ose janë duke u trajnuar për luftë në qendrat trajnuese, duhet ta ndjejnë mbështetjen tonë dhe duhet të dinë se kanë pas vetes shtetin dhe popullatën”, shtoi ai.

Putin po ashtu nënshkroi edhe një dekret tjetër më 19 tetor, sipas të cilit, gjatë zbatimit të gjendjes së luftës, sistemet e “mbrojtjes territoriale” do të organizohen në territoret e aneksuara, ndërkaq në tetë rajone të tjera do të shpallet i ashtuquajturi “reagim i nivelit të mesëm”.

Në dekret po ashtu u tha se “gatishmëri e lartë” do të shpallet në rajonet qendrore dhe jugore të Rusisë, ndërkaq në rajonet e tjera të shtetit do të shpallet “gatishmëria e nivelit të mesëm”.

“Nëse është e nevojshme, masa të tjera do të vendosen në gjendjen e luftës”, u tha në dekret. Analistët thanë se disa pjesë të dekretit mund të nënkuptojnë se mund të shpallet gjendje e luftës edhe në pjesë të tjera të Rusisë ku aktualisht nuk po zhvillohet luftë.