Udhëheqësia e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, kryetari Muhamed Sejdini, sekretari i përgjithshëm, Filip Popovski dhe zëvendësi i tij, Drilon Ganiu në “Shtëpinë e futbollit”, kanë realizuar takim pune me kryetarin e Komunës së Aerodromit, Timço Mucunski dhe shefin e kabinetit të kryetarit të komunës, Marjan Hristov.
Siç njoftojnë nga FFM-ja, në takim është biseduar për infrastrukturën futbollistike në komunën e Aerodromit dhe mundësinë për bashkëpunim të të dy institucioneve në ndërtimin e projektit kapital, gjegjësisht ndërtimi i stadiumit të ri reprezentativ në kuadër të “Shtëpisë së futbollit” në komunën e Aerodromit.
“Infrastruktura gjithmonë është e rëndësishme. Gjithmonë kam thënë se ne, Federatës së Futbollit të Maqedonisë, na duhet stadium. Ne do të jemi bartës të projektit, por janë të mirëseardhur pushteti lokal, shteti dhe të tjerët që mund të ndihmojnë”, tha mes tjerash Sejdini, transmeton TV21.
Ka sqaruar se ky është takim fillestar duke shprehur bindjen se bashkëpunimi do të vazhdojë.
