KUSHTE MIZORE NË AMBULANCËN E GJORÇE PETROVIT, PACIENTËT DRUAJNË SE DO T’U BJERË TAVANI NË KOKË

TË FUNDIT

Mure të shkarravitura, pa dritare, me dysheme dhe tavan të dëmtuar. Në këtë gjendje është ambulanca e Gjorçe Petrovit. Mbi tre mijë pacientë kryesisht fëmijë shërohen në këtë ambulancë. Njëri prej tyre është edhe Adnan Zeqiri. Ai ka sjellë vajzën e tij tetë vjeçare Emine për t’u kontrolluar. Ata vijnë nga fshati Krushopek të Komunës së Sarajit.

 “Nuk jemi të kënaqur prej kushteve, nuk marrin iniciativë t’i ndërtojnë këto baraka. Do të rrëzohen edhe pak. Por çfarë të bëjmë patjetër e kemi që t’i sjellim këtu fëmijët. Nuk kemi ku t’i çojmë. Unë i kam katër fëmijë dhe i sjellim këtu. Kanë thënë që do t’i ndërtojnë po s’ka ende informata”, u shpreh Adnan Zeqiri, pacient.

Kjo ambulancë është ndërtuar për shërbime të përkohshme, në vitin 1963 pas tërmetit. Prej atëherë në këtë ambulancë asgjë nuk u investua.

“Kjo është e moçme shumë. I ka 80 vjet. Komunisti kur ka qenë e kanë ndërtu këtë. Po këtu shkojmë të kontrollohemi”, tha një qytetar.

Kjo shtëpi e shëndetit është dhënë me koncesion, por sipas mjekëve mirëmbajtjen e saj duhet ta bëjë Ministria e Shëndetësisë. Verica Mançevska qe 35 vjet ësht pediatre në këtë ambulancë. Ajo flet për kushtet e rënda në ambulancë.

“Shikoni korridoret. Nuk ka klimë. Nuk ka asgjë atje. Dhe le të themi se unë nuk e di se çfarë ka pacienti. Dhe kur duhet ta dërgoj në skrining apo në ndonjë kontrroll shtesë nuk ka termine. Dhe si të ketë termine kur në klinikën e fëmijëve nuk ka mjekë pasi që të gjithë ikën. Mos të gënjehemi që të ndërtohet kjo nuk i ka faj as drejtoresha, as ministri apo kryeministri, por fajet i kanë paratë dhe marrëdhëniet e pazgjidhura juridike të pronësisë ku është vendosur ndërtesa”, deklaroi Verica Mançevska, pediatër.

Komuna e Gjorçe Petrovit dhe Ministria e Shëndetësisë kanë promovuar një projekt për ndërtimin e ri të ambulancës që do të jetë gati deri në vitin 2021, por deri tash nuk kanë filluar ndërtimet. Përderisa të gjindet një zgjidhje, 3 mijë pacientët e ambulancës në Gjorçe Petrov, janë të destinuar të  kontrrollohen në këto kushte mizore.

Përgatiti: Arbana Q.Klimenta