Feronikeli mposhti Lincolnin me rezultat 1:0
Feronikeli mposhti Lincolnin me rezultat 1:0
Mbrëmë është zhvilluar ndeshja preliminare për kualifikime në mes të Feronikelit dhe Lincolnit. Skuadra kosovare arriti fitoi minimalisht dhe kështu siguroi finalen e cila do të zhvillohet të premten, me fillim nga ora 20:45 ndaj skuadrës së Santa Colomës. Kjo ndeshje përfundoi me rezultat 1:0 për Feronikelin.
Një fakt interesant në këtë ndeshje ishte edhe prezenca e referit anësor, Bekim Zogaj. Zogaj ishte për herë të parë në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe për herë të parë po asistone në një ndeshje të garave evropiane, ku po paraqitej një skuadër kosovare.
Ai pas ndeshjes u shpreh tejet i lumtur me faktin se ishte prezent për herë të parë në stadiumin, i cili e mban emrin e legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri
“Ishte një ndjenjë e veçantë për mua, pasi që ishte hera e parë që isha asistent në stadiumin “Fadil Vokrri”. Gjatë ndeshjes nuk kemi pasur asnjë vështirësi, të gjithë lojtarët si dhe pjesëtarët e skuadrave janë sjellë në mënyrë profesionale me mua dhe kolegët e mi. Në lojë nuk pata shumë punë, në cilësinë e asistentit”, u shpreh Zogaj.
Ai tutje vazhdoi duke folur për ndeshjet e kampionatit të Superligës së Kosovës, ku sipas tij nuk mundet t’i vlerësojë pasi që nuk ka qenë prezent asnjëherë në stadiumet kosovare.
“Sa i përket ndeshjeve në Superligën e Kosovës, nuk mundem me i vlerësu ato, pasi që nuk kam qenë në cilësinë e referit asnjëherë në kampionatin kosovar dhe me një ndeshje të cilën e referuam dje është shumë vështirë të vlerësohet cilësia e skuadrave kosovare”, përfundoi Zogaj.
Kujtojmë që në media është përfolur shumë se Zogaj do ta asistojë edhe ndeshjen Feronikeli – Milan, e cila parashihet të luhet me 10 gusht. Megjithatë, Zogaj ka konfirmuar se një gjë e tillë nuk është e vërtetë dhe se ai ka qenë i deleguar nga UEFA vetëm për ndeshjen Feronikeli – Lincoln./kp
