7km autostradë 2 vjet në ndërtim! Prishet marrëveshja me kompaninë “Beton”

TË FUNDIT

“Autostrada Katllanovë-Petrovec ose rruga që po shihni është dashur që të përfundojë në korrik të 2021. Punimet nuk kanë përfunduar, ndërsa në terren nuk ka as makineri që punojnë. Sipas informacioneve që ka TV21, kompanisë që është dashur të bëj ndërtimin e kësaj rruge i është ndërprerë tenderi”, raporton gazetarja e TV21, Valmira Zendeli.

Mjetet për këtë autostradë janë siguruar nga Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, ndërsa drejtori i Ndërmarrjes “Rrugët shtetërore”, Ejup Rustemi për TV21 konfirmoi se kompanisë “Beton” i është ndërprerë kontrata.

“Për shkak të rezultateve jo të mira të realizimit të punimeve në atë pjesë, d.m.th. për 1 vit janë realizuar gjithsej 12% të projektit dhe në bazë të konsultimeve të mbikëqyrësit dhe në bazë të konsultimeve të konsulentit të angazhuar nga Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim ne sollëm vendim për ndërprerjen e kontratës së tillë”, tha Rustemi.

Rustemi thotë se me kompaninë “Beton” shumë herë kanë pasur takime dhe i është kërkuar që të angazhohen më tepër, por shton se neglizhenca dhe menaxhimi jo i mirë i kompanisë ka sjell deri te ndërprerja e kontratës.

“Në bazë të marrëveshjes rruga është dashur që të përfundojë në korrik të vitit 2021. Kur ne në korrik të 2021 bëmë të gjitha përllogaritjet se sa është realizuar projekti, edhe pse shumë herë i jemi paraqitur kompanisë që të fillojë të ketë aktivitet më të mëdha në punime në atë pjesë rrugore, atëherë kur konstatuam se kemi jashtëzakonisht shumë pak realizime të punimeve, e ndërpremë kontratën në bazë të marrëveshjes që ka qenë”, thotë më tej Rustemi.

Kontrata është ndërprerë në shtator të vitit 2021, ndërsa është duke u llogaritur se sa dëm është shkaktuar nga mos realizimi i kontratës për 1 vit. Në fillim të muaj mars do të shpallet tender i ri për të zgjedhur kompani tjetër e cila brenda një viti do t’i kryej të gjitha punimet në atë pjesë të rrugës.

Nga “Beton” nuk kemi përgjigje për atë se cili është qëndrimi i tyre lidhje me ndërprerjen e kontratës. Edhe pse ka dy 2 vite që rikonstruktohet kjo pjesë e autostradës Katllanovë-Shkup, megjithatë pikën pagesore duhet përsëri ta paguani.