70 VJETORI I NATO-s, DHUROHET GJAK, ASNJË POLITIKAN NUK U SHFAQ SI VULLNETAR

TË FUNDIT

Në vigjilje të festës së 70 vjetorit të NATO-s, Kryqi i Kuq dhe Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut kanë organizuar aksion për dhurimin e gjakut. Në këtë aksion, gjak kanë dhënë një numër i madh anëtarëve të Armatës, por jo edhe përfaqësuesit e partive politike, deputetët apo edhe ministrat e Qeverisë.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, thotë se ky aksion është për tu përshëndetur. Sipas tij, në vitet e fundit vendi nuk po përballet me mungesë të gjakut, por nuk ka përjashtuar mundësinë që në aksionin e ardhshëm, gjak të japin, ministrat e Qeverisë po edhe deputetët.

“Mund të marrim një iniciativë dhe aksioni i ardhshëm për dhënien e gjakut të jetë mu në atë mënyrë”, theksoi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Propozimi ynë i pëlqeu edhe sekretarit të përgjithshëm të Kryqit të Kuq, Selim Selimit, i cili tha se nëpërmjet aksioneve të këtij lloji, përfaqësuesit e popullit do e shpalosin humanitetin dhe solidaritetin e tyre. Ai nuk e mohoi faktin se një aksion i tillë mund të ndodhë në të ardhmen.

“Propozimi është i qëlluar, kemi pasur tentativa të tilla dhe aktivitete të këtij lloji në të kaluarën. Do të mundohem që idenë që ma propozoni ta realizojmë. Besoj se edhe tek ata njerëz ka gatishmëri po edhe vlera humane dhe vlera të solidaritetit të cilat, mund t’i tregojnë në një aksion të tillë. Ju ftoj së bashku me ju si televizion ta bëjmë bashkërisht dhe të japim një shembull të mëtutjeshëm të ndikimit tek njerëzit që ende nuk e kanë bërë atë hap të fillojnë ta bëjnë”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq, Selim Selimi.

Për më tepër, Kryqi i Kuq dhe Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndanë falënderime dhe mirënjohje për personat që në të kaluarën kanë dhuruar po edhe sot treguan vlerat e tyre humane duke dhuruar gjak, për të shpëtuar një jetë. Ndryshe, aksioni për dhënien e gjakut është zhvilluar në shtëpinë e Armatës së Republikës së Maqedonisë e cila është shumë afër kuvendit.

Përgatiti: Mevludin Imeri