Prokuroria Publike ka hapur lëndë pas hulumtimit të “Slloboden Peçat” për dyshimet se disa ofiqarë kanë kryer kurorëzime në restorante dhe hotele, duke marrë para në dorë dhe duke shmangur pagesën zyrtare prej 10.500 denarësh në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Prokurori Publik i Shtetit, Nenad Saveski, e ka konfirmuar hapjen e lëndës. Ndërkohë, një nga ofiqarët e përmendur në raportim është shkarkuar nga puna në Drejtorinë për Udhëheqjen e Librave Amë (DULA).
Drejtori i DULA-s, Faton Fazliu, tha se deri tani nuk ka pasur denoncime zyrtare dhe se procedurat disiplinore nuk mund të nisin vetëm mbi bazën e informacioneve jozyrtare. Ai paralajmëroi një revizion shtesë për të verifikuar nëse ka pasur shkelje.
Sipas hulumtimit, disa ofiqarë dyshohet se kanë regjistruar kurorëzimet në terren si të kryera në ambientet zyrtare, ku tarifa është vetëm 150 denarë, ndërsa pagesat reale u janë dhënë atyre në dorë.
Procedura zyrtare parashikon që për kurorëzimet jashtë ambienteve të DULA-s të bëhet kërkesë, të paguhet tarifa dhe të merret miratim paraprak. Hetimi i Prokurorisë pritet të zbulojë sa raste janë kryer jashtë kësaj procedure.
Më herët “Sloboden Peçat” raportoi se në Tetovë, ka raste kur ofiqarët u marrin nga 50 euro çifteve për t’i martuar në restorant.
