Mbrëmë në moshën 81 vjeçare ka vdekur Zoje Prendi, nëna e pesë djemve të vrarë në masakrën e Mejës.
Më 27 prill të vitit 1999 asaj ja vranë pesë djemtë, Viktorin, Sokolin, Markun, Robertin dhe Gjergjin.
Lajmin për vdekjen e saj e ka bërë të ditur nipi i saj, Egzon Marku nëpërmjet një postimi në Facebook.
“Sonte u shua AJO. Ajo zonja fisnike, me zemër të madhe e me shpirt të bardhë, me guximin e çeliktë e shpirtin plotë vuajtje por me mendjen e kristaltë. Ajo që çdo sfidë të jetës ia dilte mbanë faqebardhë. Ajo që e deshi jetën si dhuratën më të çmuar që Zoti ja dha, asnjëherë nuk u dorëzua”, ka shkruar ndër të tjera ai.
Për vdekjen e saj ngushëllime kanë pasur edhe nga shoqëria civile, politikanë e të tjerë.“I pikëlluar nga lajmi për vdekjen e Zoje Prendit, nënë e pesë djemve të vrarë në masakrën e Mejës dhe Korenicës. Barbarët ia vranë Gjergjin, Robertin, Markun, Sokolin dhe Viktorin, e nga sot, nënë Zoja i bashkohet atyre në botën e përtejme, pas më shumë se dy dekada dhimbje e vuajtje”, ka shkruar lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Nona Zoje Prendi sot ka vdekur. Forcat kriminale serbe, në masakrën e Mejës ia kanë vrarë pesë djem: Gjergjin, Robertin, Markun, Sokolin dhe Viktorin. Tani nona Zojë e ka gjetë paqen e vet. Është me të dritat e syve të saj – fëmijët”, ka shkruar avokati, Arianit Koci.
Masakra e 27 prillit të vitit 1999 në fshatin Meje të Gjakovës është masakra më e madhe në Kosovë ku brenda disa orëve ushtria paramilitare serbe la të vrarë 376 persona, meshkuj shqiptarë.
